Dhuna, produkt i një boshllëku të madh edukativ

Nga Ergys Mërtiri

Vrasja e një 14 vjeçari sot në Tiranë, pak javë pas vrasjes së një tjetër adoleshenti në Shkodër është produkt i një zvetënimi kulturor që reflekton banalitetin tonë shoqëror të shfaqur masivisht tek kultura e të fortit.

Kjo kulturë është produkt i një boshllëku të madh edukativ, të një populli që është mësuar të besojë tek forca, dhuna dhe paraja dhe jo tek vlera të tjera që e pasurojnë dhe zbukurojnë vërtetë njeriun. Ajo vjen nga rruga dhe përhapet kudo, deri në politikë dhe media.

Sjellja e rrugës dhe kodet e gangsterëve adaptohen masivisht ndërsa modelet e te fortëve përfshirë mentalitetin e tyre bëhen dominuese dhe superiore. Mund ta ndeshësh këtë kudo nëpër rrjete sociale perfshi edhe tek gazetarë e intelektuale që pozojnë me gjuhën, fodullëkun e impostimin e gangove, çfarë tregon mentalitetin që i ushqen.

Krenaria e të identifikuarit me modelet idiote nga kultura e të fortit është mekanizmi që na bën një shoqëri të paaftë për tu zhvilluar, një shoqëri që përdhos dhe perqesh vlerat njerëzore si përunjesia, thjeshtësia, mirësjellja, edukata, urtësia e dituria, duke e gjetur përmbushjen tek dhuna, gangsterizmi e rrugaçëria.

Në këtë mjedis, është e kuptueshme që kjo shoqëri do prodhojë adoleshentë që, më shumë se libra, mbajnë me vete thika. Për rrjedhoje, një popull që zë vendet e fundit në konkurset ndërkombëtare të dijeve arsimore, do spikasë në parazitizem, banalitet, dhunë e kriminalitet.

Exit mobile version