Dhuna, pronari i piceri “Era”: Policia njeh vetëm dajakun!

Dhuna barbare e policisë ndaj pronarit të dy picerive “Era” në Tiranë, Altin Bamllari dhe djalit të tij ka ngjallur revoltë dhe indinjatë në opinionin publik. Ministria e Brendshme bëri të ditur nëpërmjet një deklarate për mediat se, “policia nuk e kishte dhunuar atë dhe djalin e tij, por shenjat i kishin për shkak se u rrëzuan duke vrapuar për t’i ikur policisë”. I menjëhershëm ka qenë reagimi i biznesmenit dhe pronarit, Altin Bamllari, i cili tha se, këtu te ne policia njeh vetëm dajakun. Bamllari akuzon policinë për dhunë barbare dhe i kërkon Prokurorisë që të hetojë ngjarjen.
“Lexova nëpër portale lajmesh që Ministria e Brendshme kishte dalë me një deklaratë shtypi për rastin tim dhe të tim biri. Deklarata thoshte që ne u rrëzuam në vrapim e sipër për t’iu shmangur policisë dhe u lënduam nga gjuri. Nuk doja fare të merresha me këtë histori, por pashë që disa kanë dyshime dhe doja vetëm t’iu kujtoja Sulon, personazhin e filmit ‘Lulekuqe mbi mure’. Ashtu thanë dhe për të: ‘Krisma nuk ka patur. Suloja ra nga avllia dhe vdiq’. Po mirë, ja unë jam Suloja, po im bir kush është? Sepse shenja kemi të dy. Apo meqë jemi babë e bir ne rrëzohemi njëkohësisht nga avllia se kështu do ministria”, thotë Bamllari.
Pronari i picerive “Era” thotë më tej se, ai me të birin janë larguar pasi nuk kishin bërë asgjë. “Ne u larguam sepse s’kishim bërë asnjë gjë. Makinën që deshën e lamë aty. I kërkuam mirëkuptim policisë në mënyrë qytetare dhe për të, por nuk e gjetëm. Çfarë duhet të bënim më shumë? Të pranonim ç’i hipte në kokë qerosit? Unë i argumentoja që në gjendjen psikologjike të tim biri nuk është e drejtë që ai të drejtojë makinën drejt pikës së bllokimit, ai thoshte: Jo vetëm që do ta sjellë ai, por do ta shoqërojë edhe në komisariat. E pse? Po sikur im bir të bënte një aksident nën presion apo të pësonte diçka tjetër nga injoranca dhe egoja e qerosit, kush mbante përgjegjësi? Pse kështu funksionon policia? Dua unë dhe pikë? Po ligji ku është? Apo të argumentosh, të arsyetosh, do të thotë të kundërshtosh?”, shprehet ai.
Bamllari shprehet më tej se policët në vendngjarje, përveç nja dy servilëve mblidhnin buzët me masat ekstreme të shefit të tyre. “Për më tepër u them njerëzve që shumica e policëve aty, përveç nja dy servilëve, mblidhnin buzët me masat ekstreme të shefit të tyre. Ju siguroj, gjithashtu, që nuk kam bërë asnjë gjë jashtë etikës qytetare. Nëse mund të quhet gabim se i thashë që sjellja jote i ngjan sjelljes së një fashisti, për këtë le të më dënojnë sa të duan.
Nëse është gabim që kam mbrojtur djalin tim të pafjalë për të mos provuar pa asnjë shkak birucën e komisariatit, le të më dënojnë edhe për këtë. Kush mendon se jashtë shtetit policia të merr ‘gjak në vetull’ e ka gabim. Jashtë shtetit policia ka arsye, fatkeqësisht këtu te ne njeh vetëm dajakun”, përfundon pronari i piceri “Era”.
Pronari i picerive “Era”, Altin Bamllari dhe djali i tij u dhunuan nga policia mesnatën e të shtunës në qendër të Tiranës. Bamllari bëri të ditur se gjithçka ka nisur për një gjobë të papaguar, ndërsa publikoi në rrjetin social fotot nga dhuna barbare, e ushtruar në komisariat sipas tij.
“Nëse kapoja qeros Gerald Baka, ai që dhunoi djalin tim, nuk përgjigjet deri më një para ligjit, mos t’ju vijë çudi që një biznesmen, një qytetar i paqtë e kontribues i rëndësishëm i buxhetit të shtetit, të bëjë një ditë vetëgjyqësi. Unë s’mund të pranoj t’i paguaj taksa një shteti që inkurajon modele qerosash fashistë. Le të shërbejë ky shkrim edhe si kallëzimi im për Prokurorinë e Tiranës dhe shpresoj që ajo të veprojë sa më parë”, shkruan biznesmeni.
Ky është rasti i dytë brenda 24 orëve që policia dhunon barbarisht qytetarë të pafajshëm. Mbrëmjen e të premtes një qytetar u dhua barbarisht në Komisariatin e Korçës. Dhuna u ushtrua nga shefi i Antidrogës dhe shefi i Krimit të Organizuar në Policinë e Korçës.

Berisha: Të droguar e trafikantë, këta janë çunat e Ramës e Tahirit

Ish-Kryeministri Berisha ka dënuar dhunën e ushtruar nga policia ndaj pronarit të picerive “Era” dhe djalit të tij. Në një status në Facebook, ish-Kryeministri thotë se, policia drejtohet nga trafikantë dhe të droguar që kanë degraduar imazhin e këtij institucioni. Berisha i ka bërë thirrje Prokurorisë që të hetojë këtë rast dhune.
“Të droguar, trafikantë, pengmarrës, rrugaçë, ordinerë, janë fytyra e vërtetë e çunave të krimit të Edvin Shullazit dhe Saje qorrit! Goditjet shtazarake ndaj biznesmenit Altin Bamllari dhe djalit të tij janë një akt kriminal i shëmtuar i radhës që dëshmon fytyrën e vërtetë të policisë së krimit, shkallën në të cilën ka degraduar ky institucion i mbushur me trafikantë, të droguar, hajdutë, pengmarrës, nga Edvin Shullazi dhe Saje qorri. Ky akt është dëshmi e re e banditokracisë që sundon sot në Shqipëri, pasigurisë së madhe në të cilin jetojnë qytetarët shqiptarë nga bandat me uniformë, një krim tjetër shtetëror. I bëj thirrje Prokurorisë së Shtetit të veprojë me rreptësinë më të madhe ligjore ndaj këtij akti kriminal të banditëve me uniformë! Sb”, shkruan Berisha.
Biznesmeni Altin Bamllari denoncoi në Facebook me foto shenjat e dhunës së ushtruar nga policia për një gjobë makine të papaguar nga djali i tij.

R.POLISI

Exit mobile version