Një situatë e tensionuar është krijuar ditën e djeshme, kur në Këshillin Bashkiak të Himarës do të miratohej plani i përgjithshëm vendor. Njerëz të grumbulluar nga përfaqësues të Omonias, hynë me forcë duke tentuar të prishin mbledhjen. Kryebashkiaku i Himarës, Jorgo Goro, akuzoi në një lidhje telefonike për “Ora News”, se përfaqësues të Omonias kanë prishur me forcë mbledhjen e Këshillit.
“Ishte parashikuar mbledhja e Këshillit Bashkiak për të kaluar planin e përgjithshëm vendor, një mbledhje normale e këshillit. Përfaqësues të OMONIA-s, të organizuar nga kryetari i OMONIA-s, Alfred Beleri së bashku me Neranxin, me njerëzit e tyre, u futën me forcë, duke prishur mbledhjen e Këshillit.
Ne njoftuam Policinë e Rendit dhe kemi marrë të gjitha masat se çfarë ndodhi aty. Këshilli Bashkiak nuk kishte filluar mbledhjen. Anëtarët e PBDNJ-së ishin aty. Ata u futën me forcë dhe penguan zhvillimin e mbledhjes, duke sharë dhe ofenduar. Duke ofenduar vazhdimisht pjesëtarët e grupit të punës. Ne u detyruam të ndërpresim mbledhjen”, u shpreh Goro.