Italia ka marrë një goditje të fortë nga Këshilli i Europës sa i takon trajtimit të emigrantëve në qendrat e paraburgimit, të ngjashme me ato që u ngritën në Shqipëri.
Sipas mediave vendase, qendra kundër torturës në Këshillin e Evropës, i ka cilësuar qendrat si të papërshtatshme dhe çnjerëzore.
Sipas “Ansa”-s, raporti vëren se ka kushte të këqija materiale, mungesë të një regjimi aktiviteti, qasje joproporcionale ndaj sigurisë, trajtim jo të duhur shëndetësor dhe mungesë transparence nga ana e kontraktorëve privatë. Gjithashtu ky raport vënë në pikëpyetje modelin shqiptar.
Për më tepër, raporti thekson “praktikën e përhapur të administrimit të barnave psikotrope pa recetë të holluar në ujë, siç dokumentohet në qendrën Potenza“.
Sipas dokumentit të hartuar pas vizitës në katër nga nëntë qendrat operacionale në Itali, (CPR-të e Milanos, Gradisca d’Isonzo, Potenza dhe Romës midis 2 dhe 12 prillit) KiE ka përshtypjen e qartë se “shkalla e lartë e ngjarjeve kritike dhe dhuna e regjistruar brenda CPR-ve ishte pasojë e drejtpërdrejtë e kufizimeve joproporcionale të sigurisë, mungesës së vlerësimeve individuale të rrezikut të shtetasve të huaj dhe faktit që personat e ndaluar në fakt nuk kishin asgjë për të kaluar kohën“.
Sipas raportit, shumica e keqtrajtimit dhe përdorimit të tepruar të forcës ndodhën gjatë “ngjarjeve kritike”, si tentativa arratisjeje, akte vandalizmi apo protesta dhe trazira, duke sjellë ndërhyrjen e grupeve të forcave speciale.
Komiteti thekson se “është i vetëdijshëm se detyra e njësive të ndërhyrjes është shpesh e vështirë dhe e rrezikshme dhe se përdorimi i forcës kundër të burgosurve mund të jetë i nevojshëm në kryerjen e kësaj detyre“, por beson se ndërhyrjet në qendra duhet të bëhen në prani të një autoriteti plotësisht të pavarur si nga forcat e përfshira të sigurisë ashtu edhe nga ata që menaxhojnë strukturën që ka për detyrë të vëzhgojë dhe më pas të raportojë për mënyrën se si është kryer ndërhyrja.
Ndërkohë dokumenti ka marrë dhe një përgjigje zyrtare nga Ministria e Brendshme: Raporti i Këshillit të Evropës për CPR-të “bazohet në informacione të pjesshme dhe jo të plota“. Kështu mësohet nga burime të ministrisë, të cilat kujtojnë se vetë qeveria italiane më 15 nëntor kishte bërë tashmë vëzhgime të detajuara për t’iu përgjigjur dosjes së KiE-së. Të njëjtat burime theksojnë se si të gjitha trajtimet shëndetësore, përfshirë administrimin e mundshëm të barnave psikotrope, janë rregulluar me rekomandimin e mjekëve dhe objektet shëndetësore ofrohen gjithashtu brenda CPR-ve. Gjithashtu, nuk u konstatua administrimi i pahijshëm i barnave, “rrethanë kjo e cila nuk ka qenë kurrë objekt vendimesh gjyqësore”.
Në lidhje me publikimin e raportit europian, sekretarja e Partisë Demokratike, Elly Schlein, vendosi të shkojë çuditërisht në qendrat e grumbullimit të emigrantëve të ndërtuara në Shqipëri, në Shëngjin dhe Gjadër, e shoqëruar nga menaxheri i sigurisë së partisë, Matteo Mauri. Nga Partia Demokratike, ashtu si nga pjesa më e madhe e opozitës, nuk mungojnë kritikat e forta ndaj operacionit të zhvilluar nga qeveria. “Kjo marrëveshje me Shqipërinë cenon të drejtat themelore të njerëzve dhe shkel ligjet italiane dhe europiane”, shtoi ajo, duke u ndalur më pas tek struktura e Gjadrit: “Një qendër bosh ku u mirëpritëm nga stafi shumë profesional i policisë dhe organit drejtues, të cilët megjithatë, janë në thelb këtu për të vëzhguar sigurinë e një strukture që është bosh dhe do të mbetet bosh, edhe sepse jemi në pritje të vendimit të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë”, raporton “Ansa“.