Dhunimi për vdekje i 42-vjeçarit në Pogradec, gazetari Çelmeta zbardh detaje mbi ngjarjen e rëndë: Ja dyshimi mbi veprimet e policisë

Gazetari Igli Çelmeta ka zbardhur detaje të reja në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur dy ditë me parë në qytetin e Pogradecit, ku u dhunua për vdekje 42-vjeçar Eglantin  Proga, nga i riu Denis Meçe.

 

Proga humbi jetën si pasojë e dhunës, ndërsa Policia dha njoftimin e parë zyrtar lidhur me ngjarjen e rëndë, mëngjesin e së dielës, ku bëhej e ditur arrestimi i autorit të dyshuar dhe 3 personave të tjerë për “moskallëzim krimi”.

Çelmeta i ftuar në rubrikën “Opinion” në News24, tha se kemi pasur raste kur policia jep njoftime zyrtare për ngjarje nga më banalet, ndërkohë që nuk dha njoftim zyrtar lidhur me një krim të tillë.

Personi i dyshuar si autor i krimit ka lidhje me një personazh që ka lidhje politike, që ka pushtet në Pogradec, dhe kjo mund të jetë arsyeja sepse nuk patëm një njoftim zyrtar”, tha gazetari, duke ngritur dyshime për atë se çfarë ndodhi në raport me policinë.

Çelmeta tha se ajo që e bën akoma më të rëndë ngjarjen është fakti se viktima ka qëndruar rreth 30 minuta i shtrirë në rrugë dhe nuk i është dhënë ndihma e parë.

Në vitin 2024, në një qytet si Pogradeci të mos shkojë një ambulancë kur ka një person të shtrirë në rrugë, kjo është e pafalshme.

 Sot Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar nisjen e një inspektimi lidhur me veprimet e policisë, si u veprua në orët e para pas ngjarjes, çfarë ndodhi, pse nuk u raportua ngjarja”, tha Çelmeta.

Ai tha se nga ekspertiza paraprake mjeko-ligjore është vërtetuar se i ndjeri është dhunuar, nga pamjet filmike duken veprimet e dhunshme të 29-vjeçarit Meçe ndaj 42-vjeçarit.

“Policia ende nuk na ka dhënë arsyen e krimit, çfarë ka ndodhur, a është kërcënuar më parë viktima nga autori?

Autori i arrestuar i dyshuar për krimin njihet si personazh problematik, por për shkak se një i afërm i tij ka pushtet politik, ka dyshime se ka pasur një tentativë për të fshehur ngjarjen.

Rreth 5 orë e 30 minuta pasi ka ndodhur ngjarja, Policia ka shoqëruar autorin e dyshuar, më pas janë shoqëruar edhe 3 persona të tjerë, ku njëri prej tyre është thyer para grupit hetimor dhe ka treguar”, tha Çelmeta.

Ai tha se dyshimet lidhur me policinë nisën pasi pse duhen kaq shumë kohë për të zbardhur ngjarjen, kur kamerat kanë fiksuar atë që ka ndodhur. Referuar një dëshmie të dhënë nga motra e viktimës, Çelmeta tha se asaj iu tha se vëllai ndërroi jetë pasi ishte rrëzuar, gjë që nuk ishte e vërtetë.

Gazetari tha se nuk arrinte të kuptonte sepse policia nuk e transportoi vetë në spital 42-vjeçarin por u la për 30 minuta në rrugë, në gjendje të rëndë.

Ajo që dyshoj është se mund të ketë pasur konflikte të mëparshme, por kjo duhet të zbardhet nga grupi hetimor”, tha ai.

Artikulli paraprakA ka shpërthim të virusit “Ethet e Nilit” në Shqipëri? Epidemiologët: Janë rreth 3 mijë persona të infektuar, ja sa është përqindja e humbjeve të jetëve
Artikulli tjetër“Duhet të mposhtim Trump”- Biden shpjegon arsyen pse u largua nga gara për Shtëpinë e Bardhë: Beteja brendapartiake për kandidaturën time do të shpërqendronte demokratët