Dhunimi për vdekje i Egli Progës/ BIRN: Përplasje publike e pazakontë mes dy institucioneve! Policia e Shtetit sfidon Prokurorinë për hetimin e vrasjes në Pogradec

Nëpërmjet një reagimi të dytë në 20 orët e fundit, Policia e Shtetit sfidoi Prokurorinë e Korçës lidhur me vlerësimin e hetimeve për ngjarjen tragjike që shkaktoi vdekjen e 42-vjeçarit Eglantin Proga, baba i dy fëmijëve.

 

Reagimi i së enjtes lidhet me vendimin e Prokurorisë së Korçës për të hetuar për “shpërdorim detyre” një inspektor të Patrullës së Përgjithshme, i cili akuzohet se nuk ka marrë asnjë masë për të dokumentuar apo bërë prezent shkakun e vdekjes së 42-vjeçarit.

Përplasjet në distancë mes dy institucioneve ligjzbatuese si Policia dhe Prokuroria janë pjesë e një reagimi më të gjerë publik lidhur me dyshimet për tentativë manipulimi të shkaqeve të vdekjes së Progës, të ngritura fillimisht nga familjarët e viktimës.

Kreu i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku mbrojti policinë se kishte kryer të gjitha veprimet e nevojshme në një konferencë për shtyp të mërkurën, ndërsa akuzoi median për dizinform. Në të njëjtën linjë qëndrimi, debatit i hodhi benzinë edhe kryeministri Edi Rama, i cili pasi mori në mbrojtje veprimet e policisë, e konsideroi të pakuptueshme akuzën e ngritur nga Prokuroria për “vrasje nga pakujdesia”.

Mëngjesin e së enjtes, Policia e Shtetit bëri përmes një njoftimi për shtyp një vlerësim të ndryshëm nga Prokuroria e Korçës lidhur me inspektorin e akuzuar për “shpërdorim detyre”, si dhe duke pretenduar se i kishte kryer si duhet veprimet hetimore, ndryshe nga sa thotë Prokuroria. Sipas policisë, akt-ekspertimi ligjor për të cilin organi akuzës shprehet se nuk është vendosur në dispozicion, nuk mund të bëhet aty për aty, pasi e kryen Instituti i Policisë Shkencore, përkundrejt vendimeve për kryerjen e ekzaminimit.

Policia pretendon gjithashtu se inspektori me inicialet A.L nuk ka asnjë lidhje me hetimin policor të ngjarjes dhe as me operacionin e policisë për kapjen e autorit. Të dhënat e hetimit tregojnë gjithsesi se autori Denis Meçe u vetëdorëzua.

“Hetimi i ngjarjes kryhet nga Oficerët e Policisë Gjyqësore dhe grupi hetimor në drejtimin e Prokurorisë, ndërsa punonjësit e Patrullës së Përgjithshme kanë të tjera detyra funksionale në vendngjarje, përjashtuar ato hetimore,”, citohet në njoftim dhe theksohet se punonjësi i Patrullës së Përgjithshme ka përmbushur të gjitha detyrat funksionale.

Ndryshe nga sa evidentoi Prokuroria e Korçës, Policia e Shtetit vlerëson se ka dërguar në pranë organit të akuzës të gjitha materialet e nevojshme hetimore që kryhen në vendngjarje dhe gjatë hetimit paraprak.

“…Materiale procedurale të cilat janë dorëzuar në Prokurori me numër protokolli, çka hedh poshtë akuzën e Prokurorisë për mangësi në aktet e referuara nga Policia”, thuhet në njoftim./BIRN

Exit mobile version