Policia ushtroi dhunë dje ndaj protestuesve paqësorë para Parlamentit. Protesta nisi që mesnatën e së mërkurës, ku dhjetëra aktivistë e kaluan natën jashtë para Parlamentit, por në orët e para të mëngjesit dhjetëra forca policie, “Shqiponja” dhe ata të Komisariatit Nr.1 kanë shkuar pranë Parlamentit dhe kanë tentuar që të shpërndajnë protestën dhe të heqin çadrat. Policia ka shfrytëzuar orët e mëngjesit, kur njerëzit janë në gjumë dhe media është e vakët në atë orë, por menjëherë janë bërë denoncimet në rrjetet sociale. Gjatë dhunës së ushtruar, policia ka arrestuar edhe dy protestues, një nga Kukësi e një nga Lushnja.
Përfaqësuesit e AKIP bënë të ditur se policia dhunoi protestuesit Mirel Elezi nga Kukësi dhe Oltjon Zaka nga Lushnja. I riu nga Kukësi ka treguar arsyet që sipas tij çuan në shoqërimin në polici, ndërsa tha se një nga oficerët e policisë i ka shkaktuar traumë në dorë shokut të tij.
“Rreth orës 7:00 të mëngjesit u paraqitën forca të shumta policie për të zhvendosur paletat e shtruara në tokë, që ne i kishim vënë gjatë natës për të mos u ulur në trotuar. Policia kërkoi t’i zhvendosnim, ne kërkuam që të paktën edhe 1 orë të qëndronin paletat aty, sepse nuk bllokonin rrugën. Një nga oficerët e policisë ka tërhequr me forcë një nga bashkëprotestuesit.
Gjatë kësaj ndërhyrjeje, ai ka pësuar edhe një traumë në dorën e djathtë. Pas shoqërimit në Komisariatin Nr.1 punonjësit e policisë patën një sjellje shumë profesionale dhe të edukuar. Nuk më është dhënë arsyeja e shoqërimit. Por besoj se një nga arsyet e shoqërimit tim ishte pse i kërkova të mos bërtiste”, tha Mirel Elezi.
Ai u shpreh se pavarësisht kësaj, do të vijojnë protestat dhe qëllimi i tyre është të mos votohet ligji që lejon importin e mbetjeve. “U mblodhëm për të kundërshtuar importin e plehrave apo mbetjeve. Që njerëzit edhe të vrisnin frikën e të dilnin në protestë. Ne kishim informacione se nuk do kalojë sot në Parlament. Arsyeja dihet, sepse ky ligj nuk mund të marrë votat e nevojshme për të kaluar. Protestat do të vazhdojnë deri sa ky ligj të mos kalojë në Parlament”, tha aktivisti.
Policia ka ndërhyrë mëngjesin e djeshëm, duke ndërprerë protestën e nisur që mbrëmë para Parlamentit kundër importit të mbetjeve. ¬Aktivistët kanë deklaruar se janë dhunuar nga policia, e cila ka hequr çadrat e tyre të vendosura që mbrëmë, pasi protestuesit e kaluan natën para Parlamentit. “Policia ndërhyri me dhunë. Na hoqi çadrat ku kaluam natën. U shoqëruan 2 persona, u goditën dhe u dhunuan. Na kanë arrestuar dy djem pse po protestonin kundër plehrave, janë në Komisariatin Nr. 1”, deklaruan protestuesit.
“Në orën 6:00 të mëngjesit Oltion Zeka u rrëmbye pa asnjë shkak nga policia në mes të protestuesve dhe nga dhuna shtazarake e ushtruar ndaj tij pati frakturë në kockë dhe përfundoi në Spitalin Ushtarak! Por ai menjëherë sapo mbaroi trajtimin mjekësor u kthye në protestë bashkë me anëtarët e familjes së tij! Këta janë qytetarët dhe heronjtë e vërtetë të këtij vendi, që e duan me zemër Shqipërinë! Ndërsa policia e Tahirit vërtetoi publikisht për të njëmijtën herë, se është vetëm një kamzhik i Juntës në Pushtetin e Oligarkisë Sorosiane të NarkoRilindjes!”, shprehet përfaqësuesi i Shoqërisë Civile, avokati Altin Goxhaj.
Oltion Zeka: “Shqiponjat” më shkaktuan frakturë në dorë
Oltion Zeka, një prej aktivistëve që u shoqërua në polici gjatë protestës në orët e para të mëngjesit akuzon policinë se e kanë dhunuar dhe i ka shkaktuar frakturë në njërën dorë. Ai tregon se policët “Shqiponja” e kanë marrë me dhunë dhe e kanë dërguar në komisariat pa asnjë shkak.
-A mund të na thoni si ndodhi ngjarja?
“Gjithë natën kemi qenë zgjuar para Parlamentit. Rreth orës 7:00 të mëngjesit erdhi policia. Erdhi një ford me “Shqiponjat”, pastaj erdhi i dyti dhe na thanë ngrihuni, sepse pengoni rrugën për kalimtarët prandaj duhet të ngriheni me patjetër.
-Ku ishit vendosur jui?
Ishim vendosur para Parlamentit. Nuk ishim vendosur në mes të rrugës, kishte rrugë edhe për kalimtarët.
-Pse ju dhunoi policia?
Isha mes protestuesve kur më vjen një polic dhe më kap nga jaka e xhupit dhe duke më tërhequr me dhunë më thotë, çohu, çohuni. Unë i thashë mos më prek me dorë, nuk keni të drejtë të prekni popullin me dorë. Më kap ai, pastaj më kap edhe një polic tjetër dhe më tërhoqën zvarrë.
-Policia ua ka shqyer edhe xhupin?
Po, policia më ka shqyer edhe xhupin. Më kapi një polic me forcë, pastaj më kapën tre, më kapën katër. Njëri më goditi nga këmbët dhe më morën në ajër. Dhe pastaj në momentin që më morën në ajër rashë në beton dhe pësova dëmtimin në dorë.
-Çfarë të thanë mjekët?
Më dërguan në komisariatin nr.1. Isha në polici, pastaj policia mori ambulancën dhe më dërguan te Spitali Ushtarak, më bënë grafi dhe më thanë që është një shembje, por nuk e di nëse është shembje apo thyerje, pasi unë nuk mund ta lëviz dot dorën, as gishtat.
-Do të bëni denoncim për këtë dhunë të ushtruar?
Natyrisht, sespe është një dhunë pa një motiv dhe në qoftëse dora nuk përmirësohet pas tre javësh, atëhere çështja do të jetë më e rëndë.
Policia e Tiranës pranon dhunën ndaj protestuesve
Policia ka pranuar dhunën ndaj protestuesve para Parlamentit dje në mëngjes. Në një njoftim për mediat, Policia e Tiranës sqaroi përplasjen e forcave të saj me disa nga protestuesit e mbledhur para Parlamentit, duke deklaruar se një protestues është dhunuar. Në njoftimin zyrtar ajo pranoi se njëri nga të shoqëruarit ka pësuar dëmtime në dorë dhe është dërguar për mjekim. Policia thotë se përplasja ndodhi, kur u kërkua të hiqeshin disa paleta që protestuesit kishin me vete, pasi ato nuk ishte përcaktuar në lejen e dhënë për tubimin. Policia jep në deklaratë edhe inicialet e dy të rinjve 31-vjeçarë të shoqëruar në Komisariatin Nr.1, ndërsa thotë se ndaj këtyre shtetasve ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë, për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”. Rreth orës 07:00, sqaron Policia, është ndërhyrë për heqjen e këtyre paletave, por kanë hasur në kundërshtim prej tubuesve dhe si pasojë janë shoqëruar dy prej tyre, Oltion Z., 31 vjeç, Irel E., 31 vjeç.
Më tej, sqarohet në deklaratë, njëri prej të shoqëruarve ka ngritur pretendimin se është dëmtuar në dorë gjatë konfrontimit dhe u dërgua për mjekim të lehtë (shembje). Ndaj tyre ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë, për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”.
Ky reagim vjen, pasi më herët, aktivistët të cilët e kaluan natën përpara Parlamentit për të protestuar kundër ligjit të mbetjeve deklaruan se në orët e para të mëngjesit, policia kishte tentuar të prishte protestën e tyre, duke ndërhyrë me dhunë dhe duke ndaluar dy aktivistë.
Qindra protestues dhe aktivistë të Shoqërisë Civile protestuan dje para Parlamentit për të kundërshtuar miratimin e ligjit për importin e mbetjeve. Nën thirrjet, “Nuk duam plehra në Shqipëri” dhe “Ne i themi Jo plehrave”, aktivistë të AKIP, ambientalistë, por edhe qytetarë të shumtë protestuan para Parlamentit ku janë mbajtur të rrethuar nga policia.
R.POLISI