Dhunohet familja e gazetarit Skuqi, gruaja e masakruar, fëmijët të traumatizuar

Dhunohet familja e gazetarit Telnis Skuqi në Gjirokastër. Bashkëshortja e tij, Ola Skuqi është goditur në fytyrë dhe pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar hematoma në pjesë të trupit, si dhe plagë në fytyrë. Foto që ka siguruar Jugunews.net, është bërë fill pas dhunës së ushtruar nga persona ende të panjohur nga Policia e Gjirokastrës. Gruaja ka qenë e shoqëruar me dy fëmijët e saj të vegjël, ndërkohë që e gjithë skena, është ndjekur nga të miturit, të cilët janë traumatizuar.
Menjëherë e dhunuara, është drejtuar për në Komisariatin e Policisë së Gjirokastrës, për të bërë denoncimin e ngjarjes në fjalë. Familja e gazetarit investigativ Telnis Skuqi, banon ende në Gjirokastër, në pritje të largimit nga Shqipëria, pasi në qershor të vitit të kaluar, Skuqi, kërkoi azil politik në një prej vendeve skandinave, në kushtet e kërcënimeve me jetë që kishte marrë në adresë të tij, pas denoncimit të aferave që kishin të bënin me kultivimin e hashashit në zonën e Gjirokastrës në periudhën 2014-2015 dhe transportimit të kanabisit përmes avionëve që uleshin në zonën e Cepos, çka Skuqi e provoi me pamje fotografike.
Paralajmërimi për ekzekutim mafioz nga elementët kriminalë të kartelit të drogës, Telnis Skuqit i erdhi në prill të 2014, ku i vendosën një kokë dhie pranë banesës së tij çka në gjuhën e mafies kalabreze, nënkuptohet ekzekutim. Rasti i sotëm, shfaq pasigurinë e familjes Skuqi në Gjirokastër. Pas ngjarjes e dhunuara është paraqitur në Komisariatin e Policisë për të bërë denoncimin përkatës. Më herët dhe vetë gazetari Telnis Skuqi ka rënë pre e dhunës dhe e kërcënimeve.
Për këtë ngjarje të rëndë ka reaguar edhe vetë gazetari Skuqi në një postim në rrjetin social Facebook. “Kaq shumë i ka verbuar urrejtja njerëzit, sa janë të gatshëm të trokasin në derë ku jeton dhe më pas të sulmojnë një grua në sytë e dy fëmijëve të vegjël, sepse këtë të drejtë ta jep “Rilindja”.
Jo vetëm kaq, por agresorja jo vetëm që nuk është ndaluar, (pasi ka kryer një dhunë me paramendim), por është lënë në gjykim të lirë, pavarësisht se ka konsumuar disa vepra penale.
E para: Ka dhunuar me paramendimin nënën e fëmijëve të mi.
E dyta: Ka shkelur privatësinë e familjes sime.
E treta: Ka traumatizuar dy fëmijët e mi etj”, shkruan gazetari Skuqi.

Exit mobile version