Pllaka përkujtimore e dëshmorit 14-vjeçar të demokracisë, Spartak Deliu është dhunuar nga persona të panjohur për policinë. “Kjo pllakë është vendosur në nderim të veprës së dëshmorit të demokracisë Spartak Deliu, të cilit iu mor jeta në moshën 14-vjeçare, në rrugën e “Kavajës”, përballë Ministrisë së Punës, në vendin ku u ekzekutua nga komunizmi në ikje, në vitin 1991. Ç`po ndodh me të? As të vdekur s’po e lënë rehat.
Mbi këtë pllakë përkujtimore ka kohë që ka filluar procesi i shkatërrimit. Arsyen e dinë ata që kanë një plan për të fshirë heroizmin e tij nga kujtesa dhe njëkohësisht për të shprehur me dhunë ndjenjën e revanshit dhe hakmarrjes. Sepse është e sigurt, që ata që e duan demokracinë nuk vënë dorë mbi të për ta prishur”. Kështu shkruhet në statusin e gazetarit Edi Deliu, i cili është edhe i vëllai i të ndjerit. Deliu u bën thirrje njëkohësisht kolegëve gazetarë dhe politikanëve, që të denoncojnë një akt të tillë të shëmtuar dhe të rrezikshëm.