Një 52 vjeçar është arrestuar nga policia e Pogradecit pasi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij. 52 vjeçarit i janë gjetur edhe armë zjarri dhe municion pa leje në banesë.
Mësohet se i arrestuari është drejtori i burgut të Fushë-Krujës, Durim Toska. Ai u arrestua mbrëmjen e 2 dhjetorit, ndërsa u shkarkua nga ministri i Drejtësisë Ulsi Manja.
Njoftimi i policisë Pogradec:
Pogradec/Ushtroi dhunë ndaj bashkëshortes së tij dhe posedonte në banesë armë zjarri me municion pa leje, vihet në pranga 52-vjeçari.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec arrestuan në flagrancë shtetasin D. T., 52 vjeç, banues në fshatin Piskupat, Pogradec, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, e cila u pajis me urdhër mbrojtjeje.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij iu gjet një armë zjarri tip pistoletë me municion luftarak, të cilën 52-vjeçari e posedonte pa leje.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.