Dhurimi Ilir Metës 10 deputetë në tavolinë, tradhëtia e radhës ndaj demokratëve

Nga Namir Lapardhaja

Pavarësisht gjuhës së drunjtë të Ilir Metës, që koha i ka perfeksionuar aftësinë për të folur dhe për të mos thënë asgjë thelbësore, i cili u shpreh një ditë më parë se ishte i interesuar që të dilte me siglën e tij në zgjedhje, është e qartë se takimi me F. Nokën u realizua vetëm formalisht për të certefikuar dhe për të testuar në publik atë që kishin vendosur së bashku me S. Berishën.

Siç doli në media, gjë që e konfirmoi dhe Berisha sot, do të jenë plot 10 deputetë në listën e përbashkët të PD-së, listë e sigurt në të cilën do të kandidojë edhe vetë kryetari i Partisë së Lirisë.

Është e kuptueshme se në kushtet ku ndodhen Berisha dhe Meta, një front i përbashkët anti SPAK, ku t’i strehojë të dy nga votat e demokratëve dhe njerëzve që kanë besuar te PD-ja, është e vetmja rrugë e tyre. Sigurisht nëse SPAK-u dhe GJKKO-ja do t’u japë kohën e mjaftueshme për të qenë në kushtet e kandidimit.

Të gjithë e dinë se Ilir Meta sot është pa parti, pa elektorat dhe pa mbështetës, mirëpo Berishës i duhet për t’i kthyer qokat e kësaj periudhe, si ajo e zgjedhjeve të pjesshme lokale të 6 marsit, kur Meta ishte President, ashtu sikurse i duhet për shkak se i lidh i njëjti fat dhe histori, dikur politike dhe sot penale.

Gjysma e akt-akuzës së DASH-it ndaj Berishës si minues i demokracisë dhe shantazhues i sistemit të drejtësisë, lidhet me Ilir Metën, ndaj duket sikur ky i fundit pasi i shkroi fatin penal, tani po i rrëmben edhe 1/3 e grupit të ardhshëm parlamentar.

Për ata që kanë shpresuar për një PD-së më të hapur, më demokratike dhe më të fortë, që kanë shpresuar te gara dhe te primaret, kanë mundësinë e radhës për të kuptuar se e gjitha ka qenë një tallje dhe një nevojë për të kaluar lumin.

Rasti i fundit me dhjetë deputetët e Ilir Metës në listën e sigurt të PD-së, është vërtetimi i asaj shprehjes së urtë popullore, se çfarë ndodhë pasi kalon lumin.

Pasi ‘kaloi’ lumin, Berisha u dhuroi demokratëve Kalin (Ilir Metën me 10 deputetë në listën e PD)

Exit mobile version