Dhuruesi i Shullazit për “Vollgën” është djali i xhaxhait të Ilir Beqajt

Skandali i “aktit të dhurimit” të ish-Hotel “Vollgës” Emiljano Shullazit thellohet edhe më tej. Një qytetar ka denoncuar dje se personi kyç që ka kryer aktin e dhurimit të këtij objekti ndaj Shullazit ka qenë djali i xhaxhai të ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, akt që dëshmon lidhjet e forta të Shullazit me pushtetin dhe njerëzit e Ramës. Ish-Kryeministri Berisha publikoi dje denoncimin e një qytetari, sipas të cilit dhuruesi real i kësaj prone është i afërmi i ministrit Beqaj. “Arapi, bamirësi i madh që e bëri të lumtur Milin të Partisë duke i dhuruar Hotel ‘Vollgën’, është fiks Ylvi Beqaj, djali i xhaxhait të Ilir Beqajt. Qytetari informon se arabët e vërtetë, të paktën prej 10 vitesh nuk janë dukur në Shqipëri. Këtu na del një tjetër Shullaz në qeveri. I bëj thirrje Prokurorisë të hetojë lidhjen mafjoze të Beqajve me Milin e Partisë!”, shkruan Berisha në postimin e tij. Ndërsa në denoncimin e qytetarit citohet: “Doktor përshëndetje, përfaqësuesi i arabëve tek ‘Vollga’ është Ylvi Beqaj, djali i xhaxhait të Ilir Beqajt. Dhe arabët nuk kanë shkelur të paktën prej 10 viteve në Shqipëri. Dhuruesi real është djali i xhaxhait të Beqajt se arabët kanë deleguar tek ky pronën dhe nuk vijnë kurrë në Shqipëri”, thuhet në denoncimin e qytetarit. “Dhurim pa asnjë kusht, në shenjë mirënjohjeje”. Me këtë argumentim ligjor, shtetasi Emiljano Shullazi, i biri i Hajdarit dhe Haxhiresë, i datëlindjes 24 prill të vitit 1978 përfitoi një sipërfaqe trualli 749.6 metra katrorë, pjesë e një prone në Durrës, e cila nga të gjitha njihet si ish-Hotel ‘Vollga’. Këtë dokument, që është një akt noterial ka në dorë edhe Prokuroria, por edhe institucione të tjera shtetërore. Dokumenti mban datën 9 dhjetor të vitit 2014 dhe është hartuar nga noterja Aida Spahiu. Para saj janë paraqitur administratori i kompanisë “Saudi Brothers Commercial” , shtetasi Ylvi Beqja në rolin e dhuruesit të pronës dhe shtetasi Emiljano Shullazi në rolin e pranuesit të dhurimit.

Artikulli paraprakIsh-pronarët protestë edhe në SHBA kundër qeverisë Rama
Artikulli tjetërLargohet nga Shqipëria Mitri Prifti, pasi akuzoi Shullazin