Di Maria-Ozil, rikthehen te Real Madridi?

E bujshme. Angel di Maria dhe Mesut Ozil kërkojnë të rikthehen te Reali i Madridit. Dy mesfushorët me tipare sulmuese që luajnë respektivisht për Paris Saint Germain dhe Arsenalin e kanë shprehur hapur dëshirën e tyre për të qenë sërish pjesë e Los Blancos. Lajmi publikohet nga gazeta madrilene “Marca” që bën të ditur se si Di Maria ashtu edhe Ozil i janë ofruar Realit Madridit dhe janë të gatshëm të riveshin fanellën e bardhë. Turko-gjermani dhe argjentinasi ishin dy elementë shumë të rëndësishëm të Realit të Jose Mourinhos që në sezonin 2011-2012 fitoi La Ligan duke vendosur një rekord pikësh.
Ozil më 2013-tën pas largimit të “Special One” zgjodhi të transferohej te Arsenali, ndërkohë që Di Maria edhe pse ishte një nga lojtarët deçizivë të Realit të Ancelottit që fitoi Championsin më 2014-tën, pak muaj pas finales së Lisbonës u ble nga Manchester United për 75 milionë euro. Nga shitjet e këtyre dy futbollistëve Reali i Madridit arkëtoi rreth 120 milionë euro edhe pse nuk kishte shpenzuar më shumë se 45 milionë për t’i transferuar në Madrid me kërkesë të Jose Mourinhos në vitin 2010.
Të dy lojtarët nuk ndihen më të lumtur në klubet respektive. Ozil nuk ka ndërmend të rinovojë kontratën me Arsenalin që i skadon në verën e vitit 2018 dhe mesfushori i përfaqësueses gjermane pret një telefonatë nga drejtuesit e Realit për t’u rikthyer krahëhapur në Madrid ku ai do të ribashkohej me Sergio Ramos që është mik shumë i mirë i tij. Kapiteni po përdor të gjitha influencat e tij për të bërë të mundur rikthimin e Ozil në “Santiago Bernabeu”.
Rasti i Di Marias, shitjes më të shtrenjtë në historinë e Realit të Madridit është disi i ndryshëm, pasi argjentinasi luan prej vetëm një sezoni e pak te kampionët e Francës, por lojtari nuk ndihet më i lumtur në Paris dhe ua ka shprehur hapur drejtuesve të Realit dëshirën e tij për të firmosur sërish me Los Blancos. Mbetet për t’u parë se çfarë do të bëjë Florentino Perez me dy futbollistët, por e sigurtë është që Ozil dhe Di Maria dëshirojnë rikthimin në Madrid.

Artikulli paraprak“Leo Mesi zikaltër”
Artikulli tjetërHarrohet rivaliteti historik