Diaspora shkarkon Ramën, bashkon shqiptarët!

Nga Basir ÇOLLAKU

Protestat në Shqipëri, më në fund, janë kthyer në institucion të fortë, pa dashjen e partive, duke prodhuar ngjarje nën efektin, presionin, panegociueshmërinë e tyre. Edi Rama i rrethuar nga pakënaqësia agresive e mbarë qytetarëve, ngujuar në tuitter, turfullues në takime organizuar dhunshëm prej tij, ka nisur vetërrokullisjen të cilën e ka të pamundur ta ndalë me çdo mjet. Shtatë ministra, sikur të ishin shtatë kunguj jashtë livadhit, morën tatëpjetën në një mbledhje asambleje të shtërnguar ta datojnë njëherësh me Protestën e Diasporës. Shqipëria tjetër, ajo e emigruar, ku gjenden mbi 1.6 milionë shqiptarë, i ka kthyer kurrizin strehës së re perëndimore ndërtuar me aq sakrificë, ku jeton prej dekadash dhe ka mbërritur në Tiranë përballë zyrës së Edi Ramës, duke ia pakësuar vaktet e delirit. Atë kufi të thyer në 90, e ribashkuan sot Tani, axhendën e kryeministrit prej muajsh e bëjnë qytetarët dhe jo ai, me pëshpërima pushteti, e infrastrukturë të guzhinës orientale tepsi, tenxhere, timon, tavëll, tallava, etj…
Sot në Bulevard, përballë zyrës së Këshillit të Ministrave, qeveria e shqiptarëve ishin Genci, Avniu, Sokoli, Ylberi, që shkërmoqën teatrin qeveritar me shkarkime dhe emërime ministrash. Askush prej tyre nuk është produkt i një bilete partie, një 5 mijë lekëshi poshtërimi dhe rreshtimi sfilitës për të ardhur në shesh. Partitë politike, në 28 vite nuk ia dolën ta mbyllin tranzicionin dhe ndihen të parët të kanosura nga një refuzim prej këtyre muajve i pakontrolluar prej tyre. Diaspora ka në emblemën e përfaqësimit përveç pavrësisë dhe efektin e faktorit prurje nga jashtë, çka i bën me dhimbje politikanët, me shpresë qytetarët, të pandalshëm të rinjtë. Tre ditët e fundit të këtij viti janë protestë jo vetëm e shqiptarëve të Diasporës, janë fillimi dhe vijimi i një proteste të pambyllur, janë 2019-ta ndryshe, e cila do flasë për një Shqipëri tjetër, ku liria, demokracia, e drejta për të zgjedhur, do të riformatohen, do të dalin nga kafazi i së shkuarës.

Ministria e Brendshme me një shkresë komike, refuzoi të formalizonte lejen e kërkuar për këtë takim mbarëshqiptarësh, ndonëse Kushtetuta është gjithnjë e më e qartë se ish-gjeneral Lleshi, porosizbatuesi i Ramës. Ministrat Ahmetaj, Gjiknuri, Nikolla, Kumbaro, Peleshi, Qato, Bushati, ishin faqet e pashkruara të Kurbanit, duke tentuar një amnisti për mëkatet e tyre penale. Përballja me drejtësinë e miliardave të masakruar prej tyre për llogari të kryeminstrit Edi Rama, nuk duhet të rrëshkasin nën symbylljen e Arta Markut dhe Donika Prelës, sepse janë dosje të rënda penale, korrupsioni, trafiqesh dhe krim i organizuar. Partnerët të qartësuar më shumë se ambasadorët e tyre në Shqipëri, kanë nisur të mbajnë qëndrime serioze, ndonëse efektet ende nuk janë bërë plotësisht të dukshme. NATO ka vendosur të mos ketë një qelizë dilemash, një kakrrike lëkundëse në Aleancë dhe e ka lehtësisht të mundur të rregullojë karriken se sa tolerojë flirtet shqiptare në zonën e ndaluar.
Diaspora e dha mesazhin më kthjellët se parashikimet e skeptikëve. Ajo e bëri këtë si kurrë herë tjetër në këto 28 vite tranzicion të majmur nga konsumatorët e pushtetit të keqquajtur demokratik. Kostoja familjare e protestuesve, mijëra kilometra rrugë nga USA, Kanadaja dhe Evropa, për të qenë aty për të vënë supin që Shqipëria të mos bjerë prej shqiptarëve, është shtegu nga ku ka nisur një udhëtim ndryshe. Politikanët e pastër, të papisëzuar nga dallaveret kanë një mundësi të japin ende të mirën për vendin. Në të kundërt edhe pa dëshirën e tyre, historia ka hesapet e saj dhe nuk do t’i marrë leje kohës. Flamuri u bë zot i vendit dhe tkurri çdo hile të kurdisur e të mbetur stok. Pavarësisht propogandës ka gjithnjë një dikator për t’u rrëzuar. Shqiptarët po e ribëjnë…

Basir Collaku

Exit mobile version