Paulo Dibala, një lider i padiskutueshëm, i cili jo vetëm që nuk ka ndërmend ta lërë Juventusin pas ofertave joshëse, por mendon që të transformohet në një ikonë: “Do doja që të qëndroja për 20 vite te kjo skuadër, njësoj si Del Piero dhe Bufoni. Jam i bindur se ky është vendi i duhur për mua, për të fituar shumë trofe, por edhe ‘Topin e Artë’ pse jo”. Sulmuesi argjentinas 20-vjeçar është një nga ata futbollistë që ecën me këmbë në tokë, ndaj kurrë nuk ka pasur dyshime mbi zgjedhjen e bërë. Ai thotë se, eleminimi nga Bajerni në Champions ka qenë momenti më i keq për të. “Padyshim eliminimi nga Bajerni i Mynihut ka qenë momenti më i keq. Mendoja se do t’ia dilnim, kishin mbetur pak sekonda, do kishim kryer një arritje madhështore, por në fund vuajtja ishte edhe më e madhe. E pashë në shtëpi, vetëm mbi divan, i dëmtuar dhe me aparaturën që më riaftësonte muskujt e dëmtuar në punë. Nervozizmi ishte aq i madh sa nga një kërcim rrezikova të përkeqësoja dëmtimin dhe, më pas, nuk do dija si t’ua sqaroja këtë mjekëve dhe drejtuesve”, shprehet Dibala.
Juventusi jo vetëm vazhdon të fitojë, por “respekton” luftën e zonës për mbijetesë, duke mundur Karpin 2-0 dhe arkivon fitoren e 25-të në 26 ndeshjet e fundit në kampionat. Me nga një gol për pjesë loje, Hernanes në të parën dhe Zaza në fundin e takimit, bardhezinjtë bëjnë një tjetër “stërvitje” luksi në pritje të festës së titullit (më 15 maj), por mbi të gjitha në pritje të finales së Kupës së Italisë, me Milanin, më 21 maj, në stadiumin “Olimpiko”.
Pikërisht mesfushori francez është protagonisti i pjesës së parë, kur në të 25-ën tenton të shënojë fluturimthi brenda zonës, por kalojnë vetëm pak xhiro të kronometrit dhe një driblim i shkuar keq rrezikon që Verdi ta kalojë në avantazh Karpin, por Bufon me majën e këpucës shpëton skuadrën. Alegri ulërin, urdhëron që gjërat të bëhen serioze. Dhe Juventusi fillimisht i afrohet avantazhit me Moratën (goditje me kokë, pak milimetra larg shtyllës), përpara se të gjithë të festojnë.
Minuta e 42-të, Azamoah zbret nga e djathta dhe pason në qendër për Hernanesin, i cili nga jashtë zone godet saktë në të majtën e portierit Belek, i cili ka përgjegjësi për golin, duke qenë se goditja nuk ishte e papërballueshme. Gjithsesi, Hernanes feston golin e parë si juventin dhe ekzalton tifozët me kapriolën karakteristike me të cilën feston pas çdo goli. Me të ardhur avantazhi, tribuna e ultrasve shpalos menjëherë një dedikim për trajnerin e tyre, “Alegri, burrë i vërtetë”, duke ftuar livornezin që të kërcënojë së bashku me ta. Maks ruan seriozitetin, nuk kërcen, por i bën me dorë në shenjë respekti, duke ndezur kështu duartrokitjen e të gjithë “Juventus Stadium”-it, një atmosferë krejt tjetër kundrejt asaj të mikpritjes me gurë që goditën makinën e tij, në korrikun e vitit 2014.