Paulo Dibala ka qetësuar tifozët e Juventusit, duke pranuar se për momentin nuk joshet prej parave që i ofron Barcelona. Ylli argjentinas i “Zonjës së vjetër” dha dje një prononcim të shkurtër për “Fox Sport”, ku komentoi edhe për pritshmëritë që kanë tifozët e Argjentinës për atë.
Kartoni i kuq që koleksionoi së fundmi me Argjentinën “rëndon” ende në ndërgjegjen e talentit. “Kur pashë kartonin e kuq m’u duk sikur u shemb bota. Unë luaja ndeshjen e parë me kombëtaren time dhe për më tepër jam një lojtar që ndëshkohet gati dy herë në vit”, tha Dibala.
I përzgjedhuri
Trajneri i Argjentinës shpeshherë ka thënë se shikon te Dibala lojtarin që mund të mbushë boshllëkun që krijon në ekip mungesa e Leo Mesit. “Unë do të luaj në pozicionin e tij, por kjo nuk do të thotë se jam si ai. Me këtë dua të them se të luash si Mesi është praktikisht e pamundur”, tha 22-vjeçari.
Transferimi
Gazetari u interesua edhe rreth së ardhmes së tij. Në media prej muajsh thuhet se Dibala shumë shpejt do të transferohet në Katalonjë te Barcelona.
“Jo, nuk kam biseduar kurrë me Mesin për këtë çështje. Gjithashtu, asnjë përfaqësues i Barcelonës nuk më ka kontaktuar për të biseduar për këtë çështje. Barça është një klub i madh, ashtu si ai ku luaj unë tani. Dy vite më parë, Juventusi luajti finalen e Ligës së Kampioneve, prandaj ju them se nuk ndiej nevojën që të largohem drejt një klubi të madh”, përfundoi Dibala.
Kontrata
Disa mendojnë se është çështje kohe që Paulo Dibala të transferohet te Barcelona, ndërsa vetë lojtari shikon të ardhmen e afërt në Torino. Sipas mediave italiane, asi i Juventusit po vlerëson kontratën e re që i ka ofruar “Zonja e vjetër”. Juventusi ka pranuar kërkesën e Dibalës për ta paguar atë me 7 milionë euro në sezon. Në shoqërinë torineze po ndihet menjëherë efekti i afrimit të Higuainit (paguhet me 7.5 mln euro), pasi tani edhe të tjerët kërkojnë paga të larta.