Paulo Dibala është i pari prej shumë juventinëve, të cilët do të duan rritje page pas akordit që gjeti “Zonja e Vjetër” me Gonzalo Higuainin gjatë verës. Kushtet ekonomike që i premtoi Juventusi golashënuesit më të mirë të Serisë A të sezonit të kaluar kanë bërë që edhe disa lojtarë të tjerë kërkojnë rroga të larta.
Mediat italiane kanë zbuluar dje se mes Juventusit dhe Paulo Dibalasë kanë ngecur bisedimet për rinovimin e akordit aktual. Argjentinasi, për momentin, përfiton 3.2 milionë euro në sezon dhe me rinovimin e kërkuar pretendon të paktën 7 milionë euro. Në këtë pikë, Juventusi ka frenuar disi, pasi është e gatshme që t’ia dërgojë pagën vjetore deri në 5.5-6 milionë euro.
Dibala kërkon trajtim të njëjtë me atë që u ka rezervuar Juventusi lojtarëve të tjerë të mëdhenj. Aktualisht Gonzalo Higuain është futbollisti më i paguar te Juventusi, pasi përfiton 7.5 milionë euro në vit. Argjentinasin e ndjekin Manxukiç (4.5 mln euro), Khedira (4.5 mln euro), Markizio (4 mln euro), Bufon (4 milionë euro) dhe Aleks Sandro (3.6 milionë euro). Në këtë listë nuk ndodhet Alesandro Bonuçi, i cili pritet që të paguhet me rreth 5.5 milionë euro në vit pas rinovimit që do të bëjë.
Sa i përket çështjes “Dibala”, thuhet se Juventusi duhet që të lëvizë shpejt, pasi në Europë janë disa skuadra që mund t’i plotësojnë kërkesat financiare asit argjentinas. Mësohet se Reali i Madridit është gati që ta paguajë argjentinasin me rreth 15 milionë euro në sezon. Klubi madrilen do që të mundë me çdo kusht konkurrencën e Barcelonës e Bajernit dhe për këtë arsye, nuk u vendos fre shpenzimeve.
Në këto kushte, “Zonja e Vjetër” është vendosur me shpatulla pas murit. Aktualisht piemontezët kanë dy rrugëdalje: ose t’i plotësojnë dëshirat ekonomike Dibalasë ose t’ia shesin atë gjatë verës ekipit që u ofron më shumë para në këmbim.