Transferta me Milanin i ka kushtuar shtrenjtë Juventusit. Jo vetëm zero pikë në “San Siro” dhe një kampionat i rihapur totalisht, por edhe një dëmtim jo pak i rëndë për Paulo Dibalën. Sulmuesi bardhezi, i cili u dëmtua vetë në tentativën për të krosuar një top të gjatë, u është nënshtruar dje vizitave mjekësore, të cilët nuk kanë dhënë përgjigje pozitive. Argjentinasi ka pësuar një tërheqje të gradës së parë/dytë, në kofshën e djathtë.
Për të qartësuar edhe më shumë rëndësinë e dëmtimit do të nevojiten edhe disa analiza të tjera në ditët në vazhdim, por ndërkohë stafi mjekësor do të mbajë nën vëzhgim lojtarin dhe do të shohë sesi do të evoluojë riaftësimi. Sipas parashikimeve të para, rikthimi i numrit 21 në dispozicion të Masimiliano Alegrit parashikohet pas një muaji, por ndoshta qëndrimi jashtë fushave mund të jetë edhe më i gjatë, në varësi të reagimit që futbollisti do të ketë kundrejt kurave.
E përkthyer në shifra të tjera, Paulo Dibala do të humbë disa ndeshje të rëndësishme për Juven: Atë të së mërkurës kundër Sampdorias dhe të së shtunës ndaj Napolit në kampionat; rikthimin me Lionin në Champions, në “Juventus Stadium”; Kievon, Peskarën dhe ndoshta edhe duelin e 22 nëntorit, sërish në Ligën e Kampioneve kundër Sevijes.
Ky dëmtim fut realisht në panik trajnerin Masimiliano Alegri, i cili duhet t’i bëjë llogaritë me një repart sulmues që çalon totalisht. Me Dibalën jashtë, i vetmi në formë të mirë fizike është Gonzalo Higuain. Mario Manxukiç vuan një problem muskulor dhe ndaj Milanit u detyrua të zbriste në fushë. Marko Pjaca gjithashtu sa është kthyer nga dëmtimi, por për të kapur formën që i duhet do t’i nevojitet të paktën një javë stërvitje intensive.
Për këtë arsye, te Juventusi duhet të shpikin një formacion në 10 ditët e ardhshme, me të cilin të përballojnë tri sfida (Sampdoria, Napoli dhe Lion) dhe të shpresojnë që të mos gabojnë asnjë nga këto takime, përndryshe sezoni mund të marrë një rrjedhë negative, e cila mund t’i kushtojë shtrenjtë ekipit.
Ndërkohë, në shtëpinë e Juventusit vazhdojnë të monitorojnë me kujdes sulmuesin e Chelsea-t, Oscar, me bardhezinjtë që do të paraqesin një ofertë në merkaton e janarit për lojtarin. Kjo nuk është hera e parë që Kampionet e Italisë kërkojnë brazilianin, pasi tentuan ta merrnin edhe në merkaton e verës, edhe pse Oscar preferoi qendrimin në “Stamford Bridge”.