Dibër/ Fshati që prej 30 vitesh pret asfaltimin e rrugës

Rruga e fshatit Rreth Kale në Dibër ende nuk është asfaltuar, pavarësisht premtimit të kryebashkiakut socialist Rahim Spahiu gjatë fushatës zgjedhore të një viti më parë. Banorët e fshatit i thanë Faktoje se në 30 vite askush nuk ka vënë dorë për rregullimin e rrugës.

Në 4 maj 2023, kreu i Bashkisë së Dibrës, Rahim Spahiu premtoi asfaltimin e rrugës në fshatin Rreth Kale të njësisë administrative Muhurr. Ai e njoftoi këtë në një postim të tij në Facebook, ku përshkruante takimin me banorët e fshatit Rreth kale. Spahiu theksoi se asfaltimi i rrugës ishte prioritet për zonën dhe shumë shpejt do të niste puna në terren.

“Takim me banorët në fshatin Rreth Kale të njësisë administrative Muhurr për punët e kryera dhe projektet e së ardhmes”, shkroi në Facebook, Spahiu.

spahiu

Postimi i Rahim Spahiut në Facebook

Faktoje bëri një verifikim në rrugën Rreth-Kale të Njësinë Administrative Muhurr më datë 29 gusht, ku konstatuam se nuk kishte nisur asnjë ndërhyrje në këtë rrugë.

“Ka 30 vjet që nuk është vënë dorë në këtë rrugë. Na kanë thënë që brenda këtij viti do të shtrohet. Është afërsisht rreth 2 km deri te xhamia”, tregon Xhaferri, banor i zonës.

Më tej ai shton se e kanë ngritur si shqetësim në strukturat përkatëse, pasi janë rreth 100 shtëpi rreth e rrotull kësaj rruge.

“E kemi ngritur si shqetësim, e kemi diskutuar disa herë dhe tani po shpresojmë të na e rregullojnë. Vështirë shumë të kalohet në këtë rrugë, si në dimër, ashtu edhe në verë”, shton ai.

rr

Në lidhje me këtë zotim të kryebashkiakut Spahiu, Faktoje iu drejtua fillimisht me një kërkesë për informacion Bashkisë së Dibrës. Zyrtarisht, ky institucion bën të ditur se është bërë procedura e tenderimit, por janë në pritje të lidhjes së kontratës, duke mos dhënë një datë kur pritet të nisin punimet.

“Sa u përket punimeve për asfaltimin e rrugës Rreth – Kale në Njësinë Administrative Muhurr, procedura e tenderimit është bërë dhe jemi në pritje të lidhjes së kontratës për fillimin e punimeve. Vlera e investimit është 8.333.333 lekë, pa TVSH”, njofton Bashkia Dibër.

Të dhënat nga “Open Procurement” tregojnë se punimet përfundojnë për 2 muaj, por nuk ka një datë të nisjes së tyre. Operatori ekonomik kontraktues është “Selami’ dhe shpallja e fituesit është bërë në datë 14 gusht 2024.

Nisur nga verifikimi i kryer në terren dhe informacioni i grumbulluar, premtimin për asfaltimin e rrugës në fshatin Rreth Kale të njësisë administrative Muhurr, do ta kategorizojmë të pambajtur./ faktoje.al

Artikulli paraprakPritet oferta e duhur për Asllanin, Interi ka gjetur në Angli pasardhësin e mesfushorit shqiptar
Artikulli tjetërNga “Lamtumirë armë” te “Plaku e deti”, guximi njerëzor i Ernest Heminguejt! Pse u quajt shkrimtari i brezit të humbur