Dibranët do të votojnë sot për të zgjedhur njeriun që nuk i gënjen, që i kthen dinjitetin dhe i hap rrugë zhvillimit të projekteve të mëdha të qytetit duke nisur nga Rruga e Arbrit, një projekt i bllokuar gjatë këtyre tri viteve. Megjithë përpjekjet e Ramës përmes mobilizimit të bandave të krimit për të vjedhur dhe blerë votat, përgjigjja e dibranëve me votën e bashkuar pro Sherefedin Shehut do të rrëzojë përpjekjet kriminale të Ramës për të marrë Dibrën përmes manipulimit.
Zgjedhjet e sotme në Dibër do të jenë dhe fillimi i fundit të turpshëm i një regjimi perversësh dhe banditësh të zgjedhur nga Rama me manipulime dhe kërcënime në të gjithë vendin gjatë këtyre tri viteve. Në të gjithë vendin Rama ka kandiduar për deputetë dhe kryetarë bashkish figura që përfaqësonin krimin e organizuar, vrasës, trafikantë të prostitutave dhe drogës, si dhe perversë sikurse është në rastin e Shukri Xhelilit në Dibër. Është koha që Shqipëria të ngrihet dhe të rikthehet tek vlerat e saj. Në vend të përfaqësuesve të bandave të zgjedhë njerëzit e respektuar të komunitetit, në vend të injorantëve dhe trafikantëve, Dibra ka sot alternativën më të mirë, atë të një ekonomisti dhe profesori të nderuar.
Kandidati demokrat, Sherefedin Shehu vjen para dibranëve me një program të qartë zhvillimi në mbështetje të nevojave dhe interesave të qytetarëve.
Në programin e tij parashikohet asfaltimi i çdo blloku banimi dhe rivitalizimi i hapësirave të gjelbërta në qytet, Unaza e madhe e Peshkopisë, ndërtimi i parkut të gjelbërt të qytetit të Peshkopisë, asfaltimi i rrugëve turistike drejt Korabit, Lurës, Selishtës, Dardhës, Reçit, Muhurrit, Arrasit, rrugët e fshatrave Dovolan, Majtarë, Melan, Staravec, Shimcan, Zimur, Bellovë, Rabdisht, Zagrad, Cerjan, Vrenjt, Limjan, Shumbat, Venisht, Dypjakë, Sllatinë, Kalle, Zall-Kalis dhe Tejs-Radomirë. Në mënyrë të veçantë, Shehu u ndal tek punësimi, ndërsa tha se Dibra do të shndërrohet në një kantier të madh pune dhe punësimi.
Bashkë me vendimin, ai ka përgatitur edhe projektin për zhvillimin e Dibrës për t’u dhënë zgjidhje halleve dhe problemeve të shumta: Ka takuar mjaft familje që janë në errësirë se s’paguajnë dot energjinë. Ndaj dhe ai garanton se në Bashkinë e Dibrës nuk do të ketë më asnjë familje që do të rrijë në errësirë se s’paguan dot energjinë. Bashkia do të vërë në dispozicion një fond të posaçëm për familjet në pamundësi ekonomike për t’u paguar faturën e energjisë që fëmijët të kenë mundësi të mësojnë në dritë. Gjatë këtij muaji të fushatës elektorale, Shehu ka takuar bizneset dhe dyqanet, ku dhe është angazhuar që tarifat e shërbimeve për ta do të jenë zero dhe se vendimi i tij i parë do të jetë ai i uljes në minimum të taksave për biznesin e vogël.
Ndërsa fermerët dhe blegtorët do të mbështeten me ndihmën ekonomike, kur ata kanë më shumë nevojë, me ndërmjetësim dhe kontakte me tregtarët, si edhe me panaire lokale për kontraktimin dhe shitjen e produkteve të tyre. Ata do të këshillohen dhe ndihmohen nga profesionistët që sot mungojnë në Bashki. Eksperiencën e tij do ta verë në shërbim të tyre për të sjellë fonde, të cilat mbështesin investimet për baxho, frigoriferë, magazina dhe linjat e përpunimit. Pjesë e rëndësishme e programit të Shehut është edhe mirëmbajtja, zgjerimi dhe përmirësimi i rrugëve të fshatrave, si dhe shumë projekte të mëdha të infrastrukturës, por jo vetëm projekte edhe në fushën sociale e të kulturës.
Rruga e Arbrit, prioritet kryesor
Rruga e Arbrit do të jetë edhe prioriteti kryesor i kandidatit të PD për Bashkinë e Dibrës. Shehu ka qenë një ndër deputetët me kritikë në Parlament ndaj qeverisë Rama duke denoncuar bllokimin e kësaj vepre, ndërsa tani ka të gjithë mundësinë që bashkë me dibranët të bëjnë realitet këtë arterie mjaft të rëndësishme të zhvillimit të Dibrës, duke nisur nga 11 shtatori.
Projekti strategjik i Rrugës së Arbrit që nisi para tre vitesh u ndal me ardhjen e kësaj qeverie si shumë projekte të tjera të rëndësishme për njerëzit dhe ekonominë e vendit. Edhe pse marrëveshja me palën kineze për financimin e tunelit të Qafë Murrizit ishte gati që në shtator 2013 ajo u shty me papërgjegjshmërinë më të madhe nga qeveritarët për plot një vit e gjysmë. Në vend që të kërkojnë ndjesë për këtë vonim të pajustifikueshëm tani rreken ta shesin sapunin për djathë. Rama përdori ndaj projektit të Rrugës së Arbrit të njëjtën strategji si me projektet madhore të Tiranës duke bllokuar dhe zvarritur realizimin e tyre.
Kush është Sherefedin Shehu
Të dhëna vetjake
Datëlindja: 25.05.1956
Vendlindja: Dibër
Edukimi:
Ka kryer studime në Universitetin e Illinois në SHBA
Mban titullin shkencor “Profesor i Asociuar”
Veprimtaria profesionale:
Profesor dhe ekspert i financave dhe buxhetit, me eksperiencë 37-vjeçare akademike dhe profesionale
Profesor dhe shef i katedrës së financave publike, menaxhimit financiar, sistemit tatimor dhe auditit
Drejtor i Thesarit dhe konsulent me projektet e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Institutit të Shoqërisë së Hapur (OSI) në Hungari dhe Institutit të Bankës Botërore (WBI).
Në vitin 1998 ka marrë Çertifikatën e Exelencës “Who’s Who in Global Banking and Finance”.
2005-2009: Zëvendësministër i Financave
Ka kontribut të veçantë në reformimin e financave dhe administratës publike sipas modeleve moderne më të përparuara
Ka dhënë leksione në Universitetin e Illinois në SHBA dhe ka marrë pjesë në konferenca shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe botuar artikuj shkencorë dhe libra
Që nga viti 2009 është deputet në Kuvendin e Shqipërisë
Zgjedhur në: Legjislaturën: VII, VIII
Sondazhi, Shehu fiton Bashkinë e Dibrës
Një sondazh i zhvilluar deri ditën e djeshme në Dibër nxjerr fitues kandidatin Sherefedin Shehu. Sondazhi është kryer nga FM (Monitoring foundation), një grup monitorimi ndërkombëtar, i cili është i specializuar në fushën e zgjedhjeve. Ky sondazh ka përfshirë një grup prej 3107 personash të moshës 18-55 vjeç, banorë të Peshkopisë dhe ish-komunave që përfshihen në Bashkinë Dibër. Sipas sondazhit Sherefedin Shehu fiton me 55% të totalit të votave me një diferencë deri në 2200 vota. Ky sondazh gjithashtu jep të dhëna mbi pjesëmarrjen, e cila mund të jetë historike për shkak të angazhimit të madh të forcave politike. Ky grup që ka zhvilluar sondazhin mësohet se është pranë një partie të majtë, e cila është aleate e PS-së, por në zgjedhjet e Dibrës është kundër kandidatit socialist, pasi e akuzon si një ryshfetçi dhe të korruptuar. Në Dibër sot zhvillohen zgjedhjet e parakohshme për kryetar bashkie pas filmimit të ish-kryebashkiakut Shukri Xhelili, i cili kërkonte marrëdhënie seksuale për një vend pune.