Dibra është e para

Sherefedin SHEHU

Mbështetja juaj këtu në këtë sallë dhe e gjithë dibranëve kudo që ndodhen, vulos sot vendimin për të filluar së bashku punën për të ndërtuar një Dibër të re e të begatë, një Dibër që të na rrisë krenarinë tonë. Nga Lura në Selishte dhe nga Kalaja e Dodës në Maqellarë kam prekur dhe parë një bashkim të madh. Burrat, gratë, djemtë dhe vajzat e Dibrës kanë dëshmuar se më parë se të jenë anëtarë të partive politike, ata janë dibranë dhe se për ne Dibra është më e dashur se Partia dhe interesi ynë personal. Për të gjithë ne, Dibra është e para, dhe ne na bashkon ndryshimi i Dibrës. Për gati një muaj jemi takuar dhe kemi bashkëbiseduar. Fatkeqësisht më shumë keni folur për vuajtje, halle dhe vështirësitë që ju janë shtuar në këto 3 vitet e fundit. Kam ndarë dhimbjen me kryefamiljarë që nuk kanë mundësi të paguajnë faturat e larta të energjisë. Kam takuar nëna që nuk sigurojnë bukën e fëmijëve. Kam bashkëbiseduar me fermerë që ju kalben prodhimet për mungesë tregu. Kam folur me bzinesmenë dhe tregtarë që ju bëhet presion nga Administrata Tatimore, por po falimentojnë nga taksat e larta dhe gjobat e tyre korruptive.
Kam dëgjuar prindërit e trishtuar që nuk mundën t’i dërgojnë fëmijët në shkollë, sepse Universiteti i Dibrës u mbyll, dhe, dje kam përjetuar dhimbje nga lotët e gjimnazistëve, mes të cilëve edhe njërës që ishte midis 10 studentëve më të mirë të Dibrës i ishin mohuar studimet e larta. Sot, Kryeministri u mburr se paskan fituar studimet 16 studentë dibranë, kur qindra të tjerëve ju është mohuar e drejta e studimit nga kriteret abuzuese klienteliste.
Por, ky Kuvend është dëshmi e qartë e nevojës për drejtësi, për t’i kthyer Dibrës shpresën, punën dhe dinjitetin. Një Dibër e zhvilluar ku të rinjtë e të rejat të bëhen sipërmarrës dhe të punësuar, përmirësimi i shërbimeve publike dhe një kujdes social transparent dhe i barabartë për të gjithë do të jenë në qendër të punës tonë. Që në muajin e parë, ne dhe fëmijët tanë do të nisim pastrimin e gjithë Dibrës nga mbetjet dhe hedhurinat që i shikon kudo nga Maqellara në Kala të Dodës. Fadromat dhe mjetet e tjera të Bashkisë, që sot përdoren vetëm për punë private, do të shpërndahen në të gjithë fshatrat e Dibrës për të hapur rrugë të reja dhe përmirësuar e mirëmbajtur ato ekzistuese. Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve do të jetë kudo për të përmirësuar furnizimin me ujë të pijshëm dhe përgatitur projektet e kanalizimeve. Ndërmarrja e ujërave për vaditje do të fillojë punën për përmirësimin dhe pastrimin e kanaleve vaditëse.
Në Bashkinë tonë, ndihma ekonomike nuk do të jetë një mjet presioni dhe favoresh. Ajo do të jetë transparente dhe do të shkojë tek të gjithë ata që kanë nevojë, pavarësisht ngjyrës politike. Asnjë familje në Bashkinë e Dibrës nuk do të kërcënohet me bukën e gojës, dhe do të garantohet furnizimi i domosdoshëm me ujë të pijshëm dhe energji elektrike. Propozimi im i parë për Këshillin Bashkiak do të jetë ulja e tarifës së ujit të pijshëm, ulja e tarifës së llixhave nga 250 në 100 lekë në ditë dhe krijimi i fondit të posaçëm për të mundësuar ndriçimin për familjet në nevojë. Ne së bashku do të punojmë për një Dibër të zhvilluar. Siç e premtova në hapjen e fushatës, tarifat e Bashkisë do të jenë zero dhe taksat do të ulen në nivelin minimal që e lejon ligji. Bashkia do të jetë orientuesi dhe ndërmjetësuesi i fermerëve dhe bizneseve të mëdha këtu, në Tiranë, Durrës e kudo që të garantohet tregu për shitjen e prodhimeve të tyre. Me fermerët e mollëve e kemi filluar këtë bashkëpunim dhe për ta kemi siguruar tregun për 80% të prodhimit.
Por më e rëndësishme është rritja e punësimit. Partneriteti dhe besimi që kam fituar tek institucionet financiare ndërkombëtare do të sjellin paratë e mohuara sot nga z. Rama si për projekte publike ashtu edhe për investime private për turizmin familjar dhe për grumbullimin, ruajtjen dhe përpunimin e produkteve bujqësore dhe blektorale. Rinia do të jetë forca dhe energjia e ndryshimit të Dibrës. Arsimimi dhe punësimi i saj do të jenë prioritet. Përveç mbështetjes së inciativave të sipërmarrjes, bashkia do të krijojë fondin e saj të ekselencës për gjimnazistët dhe të mbështetjes së tarifes universitare për studentët në nevojë.
Pas dy ditësh ju do të merrni në dorë fatin tuaj. Me votën tuaj ju do të vendosni për të sotmen dhe të nesërmen tuaj dhe të fëmijëve tuaj dhe jo për Sherefedin Shehun dhe për Partinë Demokratike. Prandaj mos mungoni ditën e dielë, por shpreheni me votë vendimin tuaj për ndryshimin e Dibrës. Përtej të qenit të majtë apo të djathtë, ne të gjithëve na bashkon Dibra. Edhe ndonjë i pavendosur të dalë mbi bindjet e veta dhe ta nxjerrim Bashkinë e Dibrës nga kthetrat e krimit. Ju të rinj, që jeni shpresa e Dibrës, sot e keni në dorë që me votën tuaj të vendosni për të ardhmen tuaj në Dibër dhe kundër emigrimit. Jam i bindur se vota e 11 shtatorit do të jetë bekim për Dibrën dhe dibranët.

Artikulli paraprakTi themi rilindjes ndal! E keni mbushur kupën
Artikulli tjetërFaqja e pare