Dibra! Kapitulli i fundit i votës së blerë

Ilir HILAJ

U testua me sukses në Korçë, kulmoi me zgjedhjet e përgjithshme lokale dhe kapitulli i fundit i blerjes së votës u aplikua me një qetësi therëse në Dibrën e varfëruar ekonomikisht. Një vlerë nuk duhet t’jua mohojmë “Rilind-Mavive”, ata saktësisht dinë sa kushton një votë për zgjedhjet lokale dhe sa për ato parlamentare. Sikur me kaq zell ata të përdornin lapsin për të kalkuluar rritjen ekonomike të vendit (nëse e kanë mision), sa e përdorin për blerjen e votës, me siguri ne do të ishim në zonën euro. Ka një plan strategjik të mirëdetajuar që në tre vjet, kur vlera nominale e votës qëndron tek 20 000 lekë të vjetra. Këtu nuk flitet për programe, arritje, balancë, moral apo çdo instrument tjetër matës të një kandidature.
Këtu flitet thjesht dhe pastër për deformim të vullnetit zgjedhor. Gjasat janë që ky mekanizëm i mirorganizuar “Besa e të pabesëve” të funksionojë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare 2017. Pra, nuk duhet të ketë iluzion në kampin opozitar se më 2017 nuk do të përdoret mjeti më efikas “Rilind-blerja”. Ky është momenti që opozita duhet të ndërtojë strategji për të thyer këtë skemë. Mos harrojmë se më 2015-ën opozita solli figura qendrore për t’u përballur në garat lokale, që përveç Shkodrës, nuk sollën sukses. Kjo në vetvete ishte lëvizje korrekte, por fushata lokale dhe ajo parlamentare zhvillohet në module komplet të ndryshme.
Janë interesa tejet të vogla në zgjedhjet lokale, që shpeshherë u kalojnë pa u vënë re prej liderëve lokalë, por tërësisht të perceptueshme nga hienat lokale, që dinë saktësisht ku duhet paguar 20 000 lekëshi. Shumica e tyre janë përfitues direkt apo indirekt fondesh publike, ndaj ata dinë të lyejnë ingranazhin e blerjes së votës mrekullisht. Kjo armatë blerësish nuk kanë parti apo ideal, ata janë përherë në pushtet. Ka një mënyrë për t’i lënë duarthatë hienat lokale, dhe të shpëtohet shitblerja e votës, votimi dhe numërimi elektronik. Vetëm kështu ata humbasin kontrollin mbi votën, dhe thyhet aleanca me të keqen “Rilind-mavinë”.
Pushtetarët e sotëm kanë treguar se mbajnë me thonj çdo vegël që ju duhet për përdorim dhe flakin tutje pa siklet ata që u janë bërë të panevojshëm. Ndaj aleanca e blerjes së votës merr fund ditën që sallat e votimit do të monitorohen me kamera, dhe votimi e numërimi elektronik do të jetë në fuqi. Kjo do të jetë dita kur populli do të nxjerrë në pension Ramën!

Exit mobile version