Dick Advoccat do të largohet nga Holanda

Dick Advoccat ka paralajmëruar se nuk do të vazhdojë të jetë më trajneri i kombëtares së Holandës. Pasi nuk arriti dot t’i siguronte kualifikimin për në botërorin “Rusi 2018” kombëtares së “tulipanëve”, Advoccat ka vendosur të mos e vazhdojë më aventurën e tij në krye të stolit të kësaj skuadre. Gjithçka do të përfundojë, pasi të jenë zhvilluar dy miqësoret e fundit, kundër Skocisë dhe Rumanisë.
70-vjeçari mori drejtimin e “portokallinjve” pas shkarkimit nga detyra të Danny Blind për shkak të rezultateve të dobëta, ku më shumë peshoi moskualifikimi në europian. Sidoqoftë, edhe nën drejtimin e Advoccat, Holanda nuk pati ndonjë përmirësim të dukshëm, përkundrazi situata vazhdoi të ishte e njëjtë, duke mbylluar fazën kualifikuese në vendin e tretë në Grupin A. Për Advoccat, kjo ishte eksperienca e tretë në krye të Holandës. Më herët, ai ka drejtuar ekipin në periudhat 1993-1995 dhe 2002-2004. Përsa i përket emrit që do të zëvendësojë teknikun 70-vjeçar ende nuk ka ndonjë kandidaturë konkrete.
Ndërkohë, Fabio Cannavaro rikthehet në drejtimin e Guangzhou Evergrande. Pas eksperiencës me Tianjin Quanjian, kampioni i Botës me Italinë në vitin 2006, ka firmosur një kontratë 5-vjeçare me klubin ku ishte asisten i Marcello Lippit në vitin 2015, ndërkohë që e drejtoi skuadrën si trajner i parë për disa ndeshje. Cannavaro pason në postin e trajnerit të Guangzhou Evergrande, ish-teknikun e Brazilit, Luiz Felipe Scolari.

Artikulli paraprakVenger i propozon PSG-së shkëmbimin Sanchez-Draxler
Artikulli tjetërBayerni në gjueti