Diego Costa e pranon: Me Conten kam gabuar

Ky është sezoni, kur Diego Costa pas një viti plot ditëhije ka arritur të rilindë nën drejtimin e Antonio Contes. 17 gola në Premier League dhe vendi i parë për “Blutë e Londrës”, për bomberin me pasaportë spanjolle rikthimi në formë optimale duket një mision i kompletuar edhe pse gjatë harkut të sezonit nuk kanë munguar polemikat me trajnerin italian për shkak të një oferte marramendëse të ardhur nga Kina. Në një intervistë dhënë për mediat iberike, ai thekson se mosmarrëveshjet me trajnerin kishin nisur disa kohë më parë.
“Marrëdhënia me Conten nuk nisi mirë, sepse sapo erdhi i thashë se doja të shkoja te Atletico Madrid. Ai ishte shumë i nxehur, gati-gati nuk më shikonte dhe e kuptoj shumë mirë, pasi një gjë të tillë do të kisha bërë dhe unë në vend të tij. Për fat të mirë, nisa të shënoja në vazhdimësi. Bëra të pamundurën për t’u rikthyer në Madrid, por ata nuk bënë të njëjtën gjë për të më transferuar, prandaj u riktheva te Conte me bishtin ndër shalë”, u shpreh Diego Kosta.
Por pavarësisht këtij episodi, Diego Costa rrëfen se zemra e tij rreh për Atletico Madrid edhe pse shton se Simeone e di shumë mirë që nuk bëri të pamundurën për ta rikthyer në Madrid.
“Shpresoj me gjithë shpirt që Atletico Madrid të shkojë në finalen e Champions League, sepse e meriton. Nëse këtë herë arrijnë të kualifikohen deri në Cardiff, do të fitojnë. E treta e vërteta. Kina? Asnjëherë mos thuaj kurrë, sepse në jetë nuk duhet të mbyllësh asnjë portë. Nuk kam mësuar ende gjuhën angleze, imagjinoni sa të vështirë mund ta kem me gjuhën kineze”, përfundoi Diego Kosta.

Artikulli paraprakInteri kërkon dyshen e Romës
Artikulli tjetërPlani antiItali