Diego Costa, jashtë listës së Champions League

Chelsea tjetër përjashtim për Diego Costa. Aventura e sulmuesit në radhët e “Bluve të Londrës” po shndërrohet në një ferr të vërtetë. Pasi i është bërë e qartë nga ana e teknikut Antonio Conte se ai nuk është më në planet e tij, këtë herë ka ardhur edhe përjashtimi nga lista e të grumbulluarve për në fazën e grupeve të Champions League. Klubi londinez nuk e ka përfshirë 28-vjeçarin në listën e 24 të grumbulluarve që do të jenë të pranishëm në këtë kompeticion europian.
Një veprim të tillë kampionët e Anglisë e kanë ndërmarrë ndaj sulmuesit edhe për takimet që do të luhet në Premier League. Tekniku i Bluve të Londrës, Antonio Conte ka preferuar që pjesë e kësaj liste të jenë dy sulmuesit, Alvaro Morata dhe belgun Batshay. Një tjetër vendim drastik i italianit që rikonfirmon sa marrëdhënia mes tyre nuk do të njohë aspak përmirësime në muajt në vazhdim. Përsa i përket të ardhmes së Diego Costa, mediat britanike raportojnë se 28-vjeçari pritet të mbërrijë në Londër javën e ardhshme për të dhënë zgjidhje ngërçit të krijuar për kalimin e tij tek Atletico Madrid. Kalimi i tij në radhët e klubit spanjoll mund të kryhet në janar, muaj që përkon dhe me fundin e afatit të pezullimit për zhvillimin e merkatos.

Exit mobile version