Një fuoristradë e mbushur me lëndë narkotike është djegur në orët e para të mëngjesit të djeshëm, në Igumenicë. Burimet bëjnë të ditur se, sipas hetimeve të para dyshohet se makinës tip “Honda” i është vendosur flaka qëllimisht, në fshatin Karioti, por nuk përjashtohet edhe mundësia e një defekti në mjet, çka i ka bërë trafikantët të braktisin mjetin dhe të largohen.
Forcat e policisë dhe zjarrfikësja ka mbërritur në vendin e ngjarjes, duke bërë të mundur shuarjen e flakëve. Pas kontrollit në makinën gjysmë të djegur, policia konstatoi thasë të mbushur me marijuanë. Bëhet fjalë për një sasi të madhe droge, por nuk është përcaktuar ende se për sa kilogramë drogë bëhet fjalë.
Dyshohet se makina ishte ngarkuar me lëndë narkotike në kufi dhe po tentonte të futej në tokën greke. Policia ka kontrolluar zonën pranë vendit ku u gjet makina në flakë dhe ka shoqëruar një shtetas polak, i cili ishte fshehur në pyll në vendin e quajtur Gorila. Sipas policisë greke, polaku dyshohet se ishte drejtuesi i makinës me drogë.