Dilema e Mesit

Lionel Mesi dëshiron vetëm Barcelonën. Ka shumë spekullime në lidhje më të ardhmen e argjentinasit por, pesë herë fituesi i “Topit të Artë” këmbëngul se dëshira e tij është të qëndrojë në “Camp Nou”. Sulmuesi ka një kontratë me blaugranat që skadon sezonin e ardhshëm, por Presidentin e Barcelonës, Josep Maria Bartemou nuk e shqetëson fakti se, palët ende nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët për rinovimin e kontratës. Situata nuk është edhe aq e qetë, sepse sipas disa zërave, ylli argjentinas në merkaton e verës mund të nisë një aventurë të re në Premier League, ku në garë janë Manchester City, United dhe Chelsea. Të tre ekipet janë duke e vëzhguar me kujdes situatën nga afër. I pyetur nga gazetarët në lidhje me këto zëra Mesi u përgjigj: “E kam thënë gjithmonë, unë do të qëndroj te Barcelona përsa kohë drejtuesit e klubit të më duan këtu. Sigurisht, që Premier League është një kampionat shumë kompetitiv por, për momentin jam i fokusuar tek Barcelona. Nuk mund të flas dot për të ardhmen”.
Përgjigja e 29-vjeçarit lë të hapur një transferim të mundshëm në Angli. Sigurisht disi më i favorizuar për të pasur në dispozicion shërbimbet e numrit 10-të është ish-tekniku i katalansve Pep Guardiola, i cili ka ruajtur një marrëdhënie shumë të mirë me Mesin.
Drejtuesit e Manchester City kanë bërë të ditur se nuk do të heqin dorë nga dëshira për të sjellë në “Ettihad Stadium” Lionel Mesin. Sipas asaj që publikon tabloidi britanik “The Sun”, klubi anglez ka hyrë në kontakte me drejtuesit e Barcelonës për të bërë të ditur interesin për blerjen e kartonit të sulmuesit 29-vjeçar.
Pavarësisht, se nuk ekziston ende një ofertë formale, Citizens janë gati të paguajnë 115 milionë euro e ndoshta të kalojnë edhe shifrën e 120 milionë eurove që Manchester United pagoi për Paul Pogba, për të bindur klubin katalanas që të lejojë transferimin e futbollistit ne Angli. “The Sun” thekson gjithashtu se, drejtuesit e Barcelonës kanë refuzuar të vendosin një çmim për Mesi-n, por gjithsesi e kanë dëgjuar propozimin e bërë nga klubi anglez, veprim që ka rritur shpresat tek Manchester City. Lionel Mesi ka një kontratë me Barcelonën që skadon në vitin 2018 dhe Manchester City është gati t’i ofrojë atij një të re me një pagë prej 900 mijë euro në javë.

Exit mobile version