Jo vetëm Shqipëria. Dilema për formacionin ka edhe në radhët e Italisë. Nëse prej ditësh është diskutuar se “të kaltërit” do të hidhin në fushë një skuadër ultra-ofensive, të rreshtuar me skemën 4-2-4 tashmë diçka duket se ka ndryshuar. Kuqezinjtë që nuk cilësohen më një skuadër e vogël në arenën ndërkombëtare dhe përtej Adriatikut kanë nisur të dyshojnë, nëse kjo është mënyra më e mirë për të zbritur në fushë. Për këtë arsye, te Italia mund të vendosin të propozojnë një skuadër disi më pak ofensive dhe të shtojnë një lojtar në mesfushë.
Në këtë kuadër, alternativë për duelin e kësaj të premteje në Palermo është edhe formacioni 4-3-3. Fillimisht u mendua se trajneri Ventura do të luante me variantin e preferuar 4-2-4, ku dyshja sulmuese Belotti-Immobile do të mbështetej nga Insigne dhe Candreva nga krahët, ndërsa në mesfushë do të ishin De Rossi e Verratti. Por, në momentin që kanë nisur dilemat e para, stafi teknik i të kaltërve po studion edhe mundësinë për të hedhur në fushë tre mesfushorë dhe tre sulmues, duke bërë që Belotti të jetë pyka e vetme dhe Immobile të sakrifikohet, zgjedhje që do të hapë balotazhin në mesfushë mes Gagliardini-t dhe Parolo-s, kandidatë për një fanellë titullari.
Italia kërkon të shënojë sa më tepër në ndeshjet e saj, sepse në garën për vendin e parë me Spanjën, në fund mund të jetë golavarazhi ai që do të përcaktojë kryesuesit e Grupit G kualifikues drejt Botërorit 2018. Një mision aspak i lehtë përballë “bunkerit” që pritet të hedhë në fushë De Biasi me Shqipërinë, për të synuar një rezultat pozitiv, që do të ishte historik për kuqezinjtë.
Leonardo Bonuçi do të jetë në fushën e lojës në ndeshjen kundër Shqipërisë në Palermo edhe pse ka munguar dy ditë në stërvitjet e përfaqësueses së kaltër për shkak të një viroze që e ka shqetësuar. Lojtari nuk u stërvit dy ditë, për shkak të kësaj gjendje dhe fillimisht u vu në diskutim prania e tij në fushën e lojës për këtë takim.
Por ai është rikuperuar dhe stafi mjekësor i Italisë ka konfirmuar se do të jetë në fushë, edhe pse gripi e ka lënë me pasoja. Sipas mediave italiane, Bionucci ka humbur 2 kilogramë gjatë dy ditëve, por kjo nuk mjafton për ta mbajtur larg fushës, ku do t’i rikthehet duelit të nëntorit 2014 ndaj Sokol Cikalleshit.
Itali-Shqipëri do të jetë një ndeshje e veçantë për tifozët e të dyja skuadrave, që asnjëherë nuk janë ndeshur më parë në një fazë kualifikuese, por mbi të gjitha do të jetë epike për Gianluigi Buffon. Këtë të premte superportieri veteran, ndaj kuqezinjve të Gianni De Biasit do të veshë për të njëmijtën herë fanellën e kombëtares “axurre” në ndeshje zyrtare. Mbrojtësi ekstrem i Juventusit bëhet futbollisti i dytë italian që arrin këtë fund fantastik, pas legjendës tjetër te “të kaltrit”, Paolo Maldini, që u ndal në kuotën e 1.028 ndeshjeve.