Gjatë referendumit për pavarësinë në shtator të vitit 2014, Skocia mbush me flamurë dhe postera plot ngjyra të mbështetësve dhe të kundërshtarëve të pavarësisë. Në referendum morën pjesë rreth 85 për qind e personave me të drejtë vote. Rreth 55 për qind votuan në favor të qëndrimit në Mbretërinë e Bashkuar.
Tani, disa ditë para referendumit për Brexit situata politike në Skoci është e ndryshme. Këtë herë shihen vetëm pak flamuj ose postera për t’i inkurajuar votuesit për të votuar pro ose kundër daljes nga BE-ja.
Edhe pse sipas shumë sondazheve dy nga tre e skocezëve do të votojnë që Britania e Madhe të qëndrojë në BE, deri tani, ekspertët presin një pjesëmarrje të ulët në referendum. Po ashtu në ndryshim nga referendumi i pavarësisë në shtator të vitit 2014 në këtë referendum nuk kanë të drejtë të marrin pjesë të rinjtë e moshës 16 dhe 17 vjeç.
“Makthi i zakonshëm në lidhje me Evropën në Angli, nuk ekziston në Skoci”, tha për DW-në Michael Keating, profesor për politikën në Universitetin e Aberdini. “As euroskeptikët në Skoci nuk kanë një marrëdhënie aq obsesive me kontinentin sa anglezët. Kjo pyetje nuk është aq e rëndësishme këtu dhe nuk i polarizon njerëzit aq shumë”, tha Keating në një intervistë për DW.
Partitë e përfaqësuara në Parlamentin e Skocisë në Edinburg janë pro qëndrimit në BE. Madje edhe konservatorët skocezë dallojnë në këtë pikë nga konservatorët anglezë në Westminster.
Po ashtu edhe parrullat e kundërshtarëve të BE-së për migrimin dhe pavarësinë nuk gjejnë shumë ithtarë, sepse në Skoci ka shumë më pak emigrantë se në Angli. Po ashtu, Skocia ka nevojë për emigrantë për të zëvendësuar punonjësit e moshuar që dalin në pension.
Edhe koalicioni skocez kundër BE-së është i përçarë dhe ky është një shkak tjetër që dy të tretat e skocezëve si dhe shumica e sipërmarrësve janë për qëndrimin e vendit në BE.
Në rast se anglezët do të votojnë për të dalë nga BE-ja, kjo mund të sjellë me vete ringjalljet e debateve për pavarësinë e Skocisë. Sipas sondazheve në një rast të tillë do të fitonin madje nacionalistët.
Një Skoci e pavarur mund të anëtarësohej në BE, por kjo do ta vështirësonte marrëdhënien me Anglinë, si jo anëtare e BE-së, duke filluar që nga kontrolli i kufijve. Po ashtu në një rast të tillë një Skoci e pavarur do të ishte më afër Brukselit se sa Londrës, sepse kompetencat e deritanishme p.sh. në sektorin e peshkimit dhe të bujqësisë do të kalonin nga Londra në Edinburg.
Megjithatë, shumica e skocezëve shpresojnë që kjo të mos ndodhë dhe ky shqetësim mund t’i motivojë shumë skocezë që të marrin pjesë në refrendum.