Dilemat mbi koalicionin që do qeverisë Kosovën

Partitë politike në Kosovë, tash e disa ditë, janë duke heshtur lidhur me mundësitë e koalicioneve për formimin e Qeverisë së re të Kosovës, pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 11 qershor. Pas përfundimit të votimeve, si dhe publikimit të rezultateve preliminare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, partitë politike patën dhënë një varg deklaratash lidhur me mundësitë e krijimit të koalicioneve, që do ta krijonin ekzekutivin e ri të vendit.
Por, heshtja e tanishme, në opinion po shihet edhe si mungesë opsionesh nga partitë politike pas rezultatit të zgjedhjeve, i cili nuk u garanton atyre formimin e Qeverisë, pa lidhjen e koalicioneve të reja paszgjedhore. Politologu Ramush Tahiri, duke folur për Radion “Evropa e Lirë” shpreh mendimin se heshtja e partive politike lidhur me koalicionet e mundshme është kalkulim i tyre, veç e veç, që do të zgjasë deri sa të çertifikohen rezultatet e zgjedhjeve, si të verifikohet mandati.
Sipas tij, në momentin që çertifikohen rezultatet dhe secila parti do ta dijë se sa deputet i ka, atëherë do të fillojnë bisedimet dhe marrëveshjet për bërjen e koalicioneve. “Ajo që tash shihet është se janë tri grupe të mëdha. Asnjëra nuk i ka më shumë se 35 për qind të votave dhe koalicioni detyrohet të bëhet me njërin nga këto tri grupet, plus minoritetet. Pas verifikimit të mandateve, është e kuptueshme që koalicioni i parë do të synojë që t’i bëj numrat dhe do të kërkojë bisedimet, fillimisht me koalicionin, e pastaj, është taktikë, do të kërkojë edhe me partitë brenda koalicionit. Së fundmi edhe me individët e veçantë”, tha Tahiri.
Politologu Belul Beqaj, profesor i Shkencave Politike, thotë për Radion “Evropa e Lirë” se, faza aktuale është ajo e mundësisë potenciale të konkretizimit të deklaratave publike të subjekteve të caktuara dhe liderëve potencialë. Tashmë, sipas politologut Beqaj, pritet një fazë e re për subjektet politike. “Ata do të ballafaqohen me realitetin, të hidhur ose me shpresën se munden eventualisht të bëjnë koalicione, varësisht prej kalkulimeve me parti, por edhe me individë të caktuar. Por, një çështje, sipas mendimit tim, do të ishte gabim që të jetë pjesë e kalkulimeve. Kjo ndërlidhet me formimin e Qeverisë, e cila do të varej më shumë nga Lista Serbe se sa që do të varej nga deputetët dhe subjektet tjera politike”, thotë Beqaj.
Por, a ekziston mundësia potenciale për bllokimin e procesit për krijimin e Qeverisë së re, për faktin se asnjë nga subjektet politike nuk e ka përqindjen e votave që i garanton formimin e Qeverisë si e vetme? Politologu Tahiri shpreh mendimin se nuk do të ketë ndonjë bllokadë për formimin e ekzekutivit të ri, për faktin që, sipas tij, mundësitë kushtetuese dhe ligjore ekzistojnë që një gjë e tillë të mos ndodhë. “Nëse mandatari i parë nuk arrin ta bëj Qeverinë dhe t’i ketë 61 vota të deputetëve, atëherë e dorëzon (mandatin). Atëherë, mandatari tjetër nga koalicioni tjetër do t’i ketë numrat, sepse 50 përqindëshi është ose herën e parë ose herën e dytë. Nuk ka herë të tretë. Dhe, varet se si do ta ndajnë pushtetin, do të thotë, postet ministrore dhe kryeministrin. Gjithashtu, pjesë e dytë, por që nuk është më pak e rëndësishme, është ajo se çfarë programi qeverisës do të harmonizojnë dhe me të cilin do të dalin para deputetëve”, thotë Tahiri.
Edhe politologu Beqaj nuk beson se mund të ketë ndonjë bllokadë për formimin e ekzekutivit. Sipas tij, partitë politike kanë nxjerrë mësimin nga përvoja e kaluar, kur pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2014, formimi i Qeverisë së re ishte bllokuar për 6 muaj. Megjithatë, sipas tij, në rast se përsëritet një situatë e ngjashme, atëherë partitë politike duhet të kërkojnë zgjidhje të situatës. “Por, mundet shumë shpesh të mendohet, nën një, që sipas mendimit tim nuk është e gabuar, për formimin e një Qeverie Teknike, me një mandat prej 6 ose 12 muaj, e cila do të shërbejë si fazë kalimtare për reformën e sistemit zgjedhor; për reformën e partive politike, të cilat kanë nevojë për t’u reformuar; për arritjen e disa vendimeve, të cilat nuk adresojnë përgjegjësi konkrete te askush, por tek të gjithë, siç është Demarkacioni dhe Asociacioni. Pastaj, të përgatitet një fazë e re e vetëdijësimit të elektoratit dhe të partive, me një kualitet të ri të bërjes politikë”, tha Beqaj.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka paralajmëruar se çertifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 qershorit do të bëhet gjatë kësaj jave.

Kosovë, konstituimi i qeverisë brenda 10 korrikut

Konstituimi i Kuvendit të Kosovës pritet të ndodhë para datës 10 korrik. Të paktën kështu kanë paralajmëruar zyrtarë nga koalicioni fitues i zgjedhjeve PAN. Sipas tyre, konstituimi i organit më të lartë legjislativ do të ndodhë në 10 ditëshin e parë të muajit korrik. Në PAN janë bindur se nuk do të ketë vonesa në krijimin e institucioneve. “Posa t’i çertifikoj KQZ rezultatet zgjedhore, dhe të kryhen proceduarat e nevojshme ligjore do të vazhdohet me konstituimin e Kuvendit. Nuk kemi arsye që të humbet kohë në këtë drejtim. Ka një ujdi mes partnerëve të koalicionit që ky proces të ndodhë në afat rekord”, ka thënë ky zyrtar i lartë nga koalicioni PAN në kushte anonimiteti. Po ashtu, ai ka bërë se tanimë janë siguruar votat e nevojshme edhe për formimin e Qeverisë dhe nuk do të ketë nevojë për mandatar të dytë. Koalicioni i përbërë nga PDK-AAK e Nisma në zgjedhjet nacionale të 11 qershorit ka fituar 39 mandate në Kuvendin e Kosovës. Përveç votave të minoriteve, PAN llogarit edhe në disa vota të deputetëve nga AKR dhe LDK për të votuar Qeverinë. Sipas marrëveshjes për koalicion parazgjedhor, posti i kryeministrit i takon AAK-së, posti i kryetarit të Kuvendit PDK-së, ndërsa Nisma e Fatmir Limajt do të ketë postin e zv-kryeministrit.

SHBA: Vonesat në formimin e Qeverisë nuk janë në interes të Kosovës

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është shprehur e lumtur me numrin e madh të votuesve në zgjedhjet e 11 qershorit. Megjithatë, ata thonë se është në dorën e qytetarëve të Kosovës që ta zgjedhin se kush duhet të udhëheqë me shtetin. “Ishim të lumtur kur pamë se aq shumë qytetarë dolën për të votuar. Është populli i Kosovës, ai që duhet zgjedhur se kush duhet ta udhëheqë shtetin”, ka thënë për “Zërin” zëdhënësja e ambasadës së SHBA-së në Kosovë, Michelle Schon. Sipas saj, SHBA-ja shpreson që Kosova sa më parë ta formojë një qeveri, e cila do të merrej me problemet akute për vendin, siç janë: zhvillimi ekonomik, integrimi evropian e stabiliteti rajonal. “Ne e kuptojmë se të gjithë presin çertifikimin e numërimit të votave nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Pasi që të çertifikohet vota, ne shpresojmë se shpejt do të formohet një qeveri, e cila do të mund të fillojë t’i zgjidhë problemet akute, gjë që do ta avancojë zhvillimin politik dhe ekonomik të Kosovës, integrimin e saj euroatlantik dhe stabilitetin rajonal”, ka thënë më tutje Schon. Në fund, Schon ka thënë se çdo vonesë në formimin e Qeverisë së vendit nuk do të ishte në interesin e qytetarëve dhe ekonomisë së Kosovës. “Vonesat e gjata në formimin e Qeverisë nuk janë në interesin më të mirë të Kosovës, ekonomisë së saj dhe popullit të saj”, ka përfunduar Schon.

Exit mobile version