Diplomati kamikaz, e quan opozitën jo normale pse denoncon krimin, përcillet me të qeshura

Mjafton ky shkrim i mëposhtëm për të kuptuar se sa qesharak dhe të keqinformuar janë disa organizma ndërkombëtarë që merren me Shqipërinë. Si të mos jenë të tillë kur një diplomat heq kostumin e politikanit dhe vesh atë të kamikazit duke e konsideruar jo normale opozitën pse denoncon krimin. Ndërkohë një tjetër e konsideron vettingun në polici si pjesë të reformës në drejtësi. Kjo është për qeshur apo për të qarë?!

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Gjatë një diskutimi të zhvilluar dje në Hagë, me temë zbatimin e reformës në drejtësi në Shqipëri dhe ndihmës hollandeze të BE-së, Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj deklaroi se deri në emërimin e Prokurorit të ri të Përgjithshëm, Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme Arta Marku “ka të drejtën të lëvizë prokurorët” edhe pse kompetencat e saj gjatë periudhës kalimtare janë të kufizuara.
Por në përgjigje të një pyetjeje të bërë nga Exit.al gjatë diskutimit se cila është baza ligjore ku bazohen ndryshimet e fundit të kryera nga Marku në personelin e prokurorisë, Ministrja Gjonaj nuk qe në gjendje të citonte ndonjë nen apo paragraf ligjor, për të mbështetur pohimin e saj të mëpashëm, dhe ia kaloi pyetjen drejtueses së EURALIUS-it Agnes Bernhard, e cila ishte gjithashtu pjesë e panelit. Bernhard ishte dukshëm në siklet kur deklaroi se:
“Nuk jam unë përgjegjëse për këto pyetje. Nuk jam në dijeni të këtij procesi. Prokurorja e Përgjithshme duhet ta sqarojë vetë këtë.”

Sikurse Exit.al ka shpjeguar më parë, sipas nenit 149/a (1)(a) të Kushtetutësdhe Ligjit numër 96/2016 mbi Statusin e Prokurorëve dhe Gjyqtarëve në Republikën e Shqipërisë, neni 160(2), Prokurorja e Përgjithshme nuk mund të transferojë apo të emërojë prokurorë deri sa të jetë vendosur Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Por, pavarësisht kufizimeve ligjore, Marku ka transferuar thuajse të gjithë drejtuesit e prokurorisë, përfshi prokurorët që janë angazhuar në hetimin e politikanëve të lartë, si hetimi i ish-Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.
Diskutimi në Hagë u organizua nga CILC, organizatë holandeze partnere në misionin EURALIUS. Në fakt, zëvendës drejtori i CILC, Eric Vincken, falenderoi Prokuroren e Përgjithshme Arta Marku për ndryshimet në personel që ajo ka kryer në sistemin e prokurorisë, dhe deklaroi, gjithashtu–në mënyrë të gabuar—se vetingu i policisë ishte pjesë e reformës në drejtësi.
Sikurse Exit.al e ka shpjeguar më parë, vetingu i policisë nuk është nën kompetencën e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (OMN) dhe është tërësisht nën kontrollin politik të Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, i cili, në mënyrë ironike, nuk do ta kalonte dot vetë personalisht procesin e vetingut, për shkak se vëllai i tij është i dënuar në Itali për trafik ndërkombëtar droge.
Si përgjigjja evasive e Bernhard dhe deklarata e pasaktë e Vincken nxjerrin në pah problemet e shumta që ka mbikëqyrja e huaj ndaj reformës në drejtësi.
Rol të pazëvendësueshëm gjatë debatit pati edhe ish-Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri Robert Bosch, i cili nuk la mundësi pa shfrytëzuar për të lëvduar qeverinë Rama për përparimin e saj, si dhe për të shpallur veten e tij si mbështetësi më i madh i Shqipërisë:

“Unë jam i zhgënjyer me Hollandën sepse ata deputetët holandezë nuk kanë kurajo për të hapur bisedimet me Shqipërinë. Por kjo është gjëja e duhur që duhet bërë.
Opozita në Shqipëri nuk është një opozitë normale, sepse ata i qujanë kundërshtarët e tyre kriminelë.
Shqipëria ka bërë një punë vërtet të mirë. Reforma të jashtëzakonshme janë realizuar dhe ato duhet të shpërblehen.
Hollanda është një nga djepët e zbatimit të ligjit dhe ndaj ne duhet të shpërblejmë Shqipërinë.
Komenti i fundit shkaktoi nënqeshje të sikletshme në audiencë, e cila nuk është mësuar me lumenj të tillë lëvdimesh nga ndonjë ish-diplomat, që qartazi nuk ishte në dijeni të situatës së tanishme politike në Shqipëri.”
Bosch e mbylli debatin dhe sesionin e pyetje-përgjigjeve duke pyetur nëse kishte gazetarë në audiencën e pranishme. Unë dhe një person tjetër ngjitur me të ngritëm dorën mekanikisht.
Bosch na injoroi dhe u shpreh: “Mirë atëherë, përhapni fjalën sepse ne kemi nevojë të konvertojmë njerëzit.”
Nuk e dija që roli i gazetarisë kritike ishte të “konvertonte njerëz” dhe të përhapte ungjillin e Ramës. Duket se unë nuk e kam marrë memon.

Exit mobile version