Disa mesazhe që duhen lexuar nga vota e demokratëve

Nga Red VARAKU
Vota unanime e demokratëve për Lulzim Bashën, pjesëmarrja masive dhe diferenca e madhe me kandidatët e tjerë dëshmon se Lulzim Basha mbetet një personalitet i pakonkurueshëm brenda PD.
Pavarësisht pretendimeve, kjo votë është provë shumë kokëfortë që demokratët besojnë fort tek Lulzim Basha dhe vizioni i tij. Kjo votë njëkohësisht dëshmon që demokratët janë të bindur dhe të bashkuar rreth faktit që 25 prilli ishte një masakër zgjedhore.
Kësisoj demokratët i kanë dhënë një përgjigje të prerë çdo lloj dileme në lidhje me qëndrimet që PD duhet të mbajë dhe çdo lloj dileme në lidhje me liderin e tyre.
Leximi me shumë përgjegjësi i rezultatit të këtyre zgjedhjeve është me rëndësi historike për Partinë Demokratike, sepse ky mesazh përcakton dhe rrugën që PD duhet të ndjekë për rrëzimin e këtij regjimi dhe rikthimin e demokracisë në vend.
Sfida e PD është shumë e madhe sepse ajo duhet të punojë në disa fronte njëkohësisht.
Fillimisht pretendimet e saj kanë nevojë për një rikonfirmim të qartë ndërkombëtar. Bindja e faktorit ndërkombëtar përmes provave dhe fakteve se këto zgjedhje u vranë, sepse u vodhën pabesisht, është me rëndësi të jashtëzakonshme për ecurinë e projektit të opozitës.
PD duhet të punojë fort me të gjitha mjetet që t’i ndërgjegjësojë dhe bindë ata që kriza në vendin tonë nuk është më thjesht një krizë politike, por është një krizë e rëndë demokracie dhe për pasojë ajo rrezikon seriozisht të degradojë në përplasje nëse nuk ndërhyet menjëherë.
Rifreskimi i partisë me figura të reja dhe energji të reja është i një nevoje jetike për PD, për shkak se përballja me këtë regjim kërkon padyshim personalitete të reja dhe të forta, që të mbajnë në këmbë reagimin opozitar, por njëkohësisht të ringjallin besimin e munguar, sepse një pjesë është e lodhur dhe duket sikur nuk ka se çfarë të japë më në PD.
Diferenca e votave të Agron Shehaj me dy kandidatët e tjerë znj. Edit Harxhi dhe z. Fatbardh Kadilli dëshmon prirjen e anëtarësisë drejt rifreskimit, drejt figurave të reja, përfaqësuese dhe të pakonsumuara.
Gjithashtu, i një rëndësie historike është dhe radikalizimi i qëndrimeve të saj. Kjo duke filluar me refuzimin e prerë për çdo lloj bashkëpunimi me këtë qeveri e duke vazhduar proporcionalisht me qëndrimet e regjimit.
Ky refuzim nuk do të ishte vetëm një mesazh paralajmërimi për regjimin, por do të ishte edhe një akt i detyrueshëm për vetë zhvillimet brenda opozitës. Një e djathtë bashkëpunuese me këtë qeveri është një tradhtare e mesazhit që dhanë demokratët për këto zgjedhje dhe do të çonte detyrimisht dhe në përçarje të saj.
PD mund të mbetet e bashkuar, vetëm nëse mban një distancë të fortë dhe të qartë nga kjo mazhorancë.
Exit mobile version