Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me atentatin e një dite më parë në Lezhë, ku mbeti i vrarë Entjan Nikulaj, i afërm i Ardian Nikulajt i ekzekutuar disa muaj më parë në lokalin e tij në Shëngjin.
Pas atentatit me armë zjarri, në vendin e ngjarjes janë gjetur 25 gëzhoja. Ndërsa hetimet për ngjarjen vazhdojnë, policia ka shoqëruar disa persona.
40-vjeçari u qëllua me breshëri plumbash në vendin e quajtur Ura e Trenit, teksa po lëvizte me automjetin e tij fouristrade ML në drejtim të Lezhë.
Nga mënyra se si është organizuar ngjarja duket një atentat i mirëfilltë i organizuar, ndërsa dyshimet kryesore janë për hakmarrje nga ana e fisit Lekstakaj që kanë lënë brenda pak muajve tre të vrarë.
Mësohet se menjëherë pas atentatit, autorët u larguan nga vendi i ngjarjes me një automjet tip BMW me ngjyrë gri, e cila rezulton të jetë me targa të vjedhura. Automjeti me targa AB138HT rezulton i vjedhur më 29 nëntor në Tiranë.
Pas krimit, autorët i kanë vënë zjarrin automjetit në rrugën e Rinasit në vendin e quajtur “Ura e Tubit” në fshatin Larushk.
Makinës i është vënë zjarri në vendin ku u vra Admir Murataj dhe brenda saj është gjetur të paktën një armë zjarri kallashnikov.
Ndërkohë kujtojmë se konflikti midis dy familjeve ka nisur në vitin 1996 pas një sherri banal dhe prej vitesh, ata janë hakmarrë me njëri-tjetrin duke shkaktuar viktima të shumta
Entjan Nikulaj është djali i xhaxhait të Ardian Nikulajt i vrarë me armë zjarri në muajin prill të këtij viti në lokalin e tij në Shëngjin.
Ndërkohë, në muajin korrik mbeti i vrarë Nikolin Lekstakaj.