Disfata e Merkel në Berlin

Partia CDU e Kancelares Angela Merkel ka pësuar edhe një disfatë në zgjedhje, para votimeve të përgjithshme, vitin e ardhshëm në Gjermani. Rezultatet zyrtare tregojnë se partia CDU fitoi 17.6% të votave në zgjedhjet e djeshme shtetërore në Berlin, që është rezultati i saj më i keq i të gjitha kohërave në Berlin.
Partia SPD e qendrës së majtë i ka fituar zgjedhjet me afro 22% të votave. Partia e majtë antikapitaliste ka fituar 15.6%, ndërsa Partia e Gjelbërt mori 15.2%.
Me 14% të votave, partia e krahut të djathtë kundër imigrantëve, Alternativa për Gjermani (AfD) do të përfaqësohet në Parlamentin shtetëror të Berlinit për të parën herë. Këto votime u bënë dy javë pasi CDU doli e treta në shtetin lindor, Meklenburg–Pomerania Perëndimore nga partia AfD. Popullariteti i Kancelares Merkel ka rënë për shkak të vendimit të saj për hapjen e kufijve të Gjermanisë për migrantët vitin e kaluar.

Exit mobile version