Nga Namir Lapardhaja
Për afro 10 vite me radhë në krye të PD-së, një ndër meritat që i duhet njohur Lulzim Bashës, është mbajtja larg e eksponentëve të botës së krimit. Kjo ndofta është dhe një ndër arsyet që ai nuk erdhi dot në pushtet. Jo vetëm që nuk bashkëpunoi me ta, nuk i afroi, nuk bërë kompromis, por i gjithë rrugëtimi i tij politik, sidomos në krye të PD-së, është angazhimi politik dhe ligjor kundër tyre. Ligji i dekriminalizimit është rrjeta në të cilën, falë angazhimit dhe përpjekjes së drejtpërdrejtë të Bashës në krye të PD-së, bëri që shumë eksponentë të PS-së, të humbisnin mandatet ose të kishin probleme me drejtësinë. Ashtu sikurse mbështetja e pakushtëzuar ndaj Prokurorisë së Posaçme dhe insistimi i tij i vazhdueshëm, edhe pse të gjithë të tjerët thoshin të kundërtën, se ndërkombëtarët nuk janë larguar nga SPAK-u dhe nuk largohen nga interesat e tyre në luftën kundër korrupsionit në Ballkanit Perëndimor si një interes i tyre strategjik.
Në politik, sidomos në vende si Shqipëria, zgjedhja e një rruge kur kundërshtarët e tu bëjnë të kundërtën, ka kosto të mëdha. Nuk them që kjo është arsyeja e vetme, por sigurisht mosbashkëpunimi me botën e errët, mbajtja larg dhe denoncimi i gjithçkaje që vjen prej tyre, ka shenjuar ‘dështimim’ e tij për të ardhur në pushtet.
Vlerësimin më të madh në këtë drejtim ndaj Lulzim Bashës e ka bërë Ilir Meta, i cili, në një studio të njohur televizive, e sulmonte kreun e PD-së me fjalët e një eksponenti që kishte rënë në rrjetën e dekriminalizimit, duke humbur mandatin e deputetit. Duke dashur ta sulmonte, në fakt, ai po tregonte një të vërtetë, që për njerëzit normal duhet të ishte vlerësuese për Bashën dhe jo e kundërta.
Ky kontrast i Bashës me Metën, Ramën dhe Berishën, është sot më i qartë dhe më evident se kurrë. Të gjithë e dinë bashkëpunimin e Metës me këtë kategori, ndërsa Rama e mori pushtetin dhe e ndau me ta, si haraç për kontributin e tyre. Për turpin e tij dhe të forcës politike që ai sot përfaqëson, Berisha, tani në perëndimin e jetës politike dhe biologjike, ka zgjedhur të bëjë të kundërtën e asaj që PD-ja kishte bërë ndër vite, duke i marrë si bashkëpunëtor jo vetëm në Elbasan, Durrës dhe Kavajë.
Veçse Doktori harron se pasi i ka përdorur Edi Rama si limona të shtrydhur dhe i ka flakur, në këto zgjedhje, do të shihet qartë se nuk do të prodhojnë kurrfarë efekti elektoral. Madje, do t’i rrëzojnë edhe alibinë e vjedhjes së zgjedhjeve, se një pjesë të hajdutëve që na vidhnin dje, kësaj radhe ishin në krahun e Berishës.