Ndoshta 31 janari nuk do të kalojë në histori si më e nxehta e merkatos, por në 24 orët e fundit të sesionit dimëror në kategorinë Superiore nuk kanë munguar goditjet e madje edhe surprizat. Duke nisur që nga Skënderbeu. Kampionët i vënë kapak një merkatoje të rëndësishme në objektivin për të rikuperuar terren për titullin, duke siguruar një sulmues që të paktën për nga CV premton shumë. Bëhet fjalë për Marvin Ogunjimi, nigerian me pasaportë belge që ka regjistruar edhe 7 prezenca me kombëtaren e Belgjikës, ndërsa në nivel klubesh ka luajtur në këtë vend me skuadra si Genk, Sandart Liege, e madje dhe me Majorkën në Spanjë. Eksperienca e tij e fundit ka qenë me koranojugorët e Suwon Fc me një shtatlartësi prej 186 cm 29-vjeçari Ogunjimi përshkruhet si një qendërsulmues i aftë, por që mund të luajë edhe në krah, çka mundëson që të luajë njëkohësisht me bomberin Hamdi Salihi. Mbetet te Skënderbeu ndërkohë edhe afrimi tjetër i merkatos nigeriani Carles që ishte me skuadrën në Antalia për të cilin u fol edhe për një huazim të mundshëm te Korabi.
Te kryesuesit e Kukësit, kanë zyrtarizuar një tjetër sulmues nigerian, por të paralajmëruar që më parë me Kufre Ebong që vihet nën urdhrat e trajnerit Ernest Gjoka për pjesën e mbetur të sezonit.
Edhe te Partizani dita e fundit ka shërbyer për të zyrtarizuar një futbollist të vënë që prej disa javësh në dispozicion të Starovës, bëhet fjalë për Kristi Markun me mbrojtësin 21-vjeçar që ka firmosur kontratë për pjesën e mbetur të sezonit me opsion rinovimi edhe për sezonin pasardhës. Një goditje të madhe në orët e fundit të merkatos ka bërë edhe Teuta që ka përfituar në formë huazimi nga Skënderbeu Eko Barine, një tjetër sulmues nigerian 19-vjeçar për të cilin profilizohet një e ardhme e madhe dhe që pritet t’i bëjë shumë punë bregdetarëve në luftën për mbijetesë.
Nuk kanë munguar goditja e orës së fundit edhe te Luftëtari, skuadër që edhe pse ruan profil të ulët para mediave në fushë po shfaq potencial për të bërë ndoshta diçka më shumë se mbijetesa. Gjirokastritët kanë siguruar mbrojtësin e djathtë Marios Topi, 21-vjeçar që vjen nga radhët e Levadiakos në Greqi dhe që vetëm pak ditë më parë ka luajtur kundër Panathinaikos. Flamurtari ndërkohë sipas informacionit të përcjellë nga Federata shqiptare e Futbollit pret të federojë dy futbollistë që nuk janë përmendur më parë, Lynekker Nakamuta dhe qendërmbrojtësin 29-vjecar brazilian Mauricio Aparecido Maciel Leal.
Mungojnë risitë e ditës së fundit nga Tirana me merkaton e bllokuar, Vllaznia e Korabi, ndërkohë që për sa i përket merkatos në dalje, biznesi i vërtetë ka qenë ai i Skënderbeut që dërgoi Agim Zekën te Lille për 300 mijë euro plus 20 për qind të të drejtës së rishitjes së futbollistit.