Dita e parë e shkollës ka nisur me mungesë librash për nxënësit dhe kushte skandaloze në shkolla. Gjendja në shumë shkolla të vendit vijon të jetë problematike, si pasojë e amortizimit, ku në shumë raste mungojnë edhe dyer e dritare. Nxënësit e këtyre shkollave do të ulen në banka për të filluar vitin e ri shkollor, në ambiente ku kushtet nuk janë aspak të përshtatshme për zhvillimin e mësimit.
Në ditën e parë të vitit të ri shkollor, ende shumë shkolla paraqesin probleme e mangësi, pavarësisht se duhej të ishin gati për pritjen e nxënësve të arsimit parauniversitar. Një nga shkollat që ndodhet në gjendje skandaloze, është “Bakushe Visha”, në Fushë-Krujë, e cila frekuentohet nga një numër i madh nxënësish të arsimit 9-vjeçar.
Gjatë një vëzhgimi të thjeshtë vihet re mungesa e investimeve që te xhamat e thyer, të zëvendësuar me plastmasë, muret me lagështi, apo edhe mbetjet urbane që qëndrojnë aty prej kohësh, në gjendje dekompozimi. Një vit më parë, kjo godinë u përdor për frekuentimin e mësimit nga nxënësit e gjimnazit, por pas ndërtimit të një tjetër shkolle për këta të fundit, u vendos që këtu të ndiqnin mësimin nxënësit e sistemit 9-vjeçar.
Në shkollën 9-vjeçare në Krujë, ku ndjekin procesin mësimor 450 nxënës mungojnë xhamat që rëndom janë zëvendësuar me plastmasë. Nuk është ndërhyrë as për lyerjen e fasadës së godinës, ndërkohë që muret janë me lagështirë. “Gjendja në shkollë është shumë e mjerueshme. As në ’45-ën nuk ka qenë kështu”, shprehet një i moshuar.
Në Librazhd dhe Përrenjas, 800 nxënës të komunitetit egjiptian nuk janë pajisur me libra falas, sipas urdhrit të Ministrisë së Arsimit për këtë komunitet.
15 shkolla 9-vjeçare në Qarkun e Beratit vijojnë mësimin ende në godina të amortizuara, kryesisht në zonat rurale. Shifra bëhet e ditur pas kontrolleve të bëra nga Inspektorati Sanitar në Drejtorinë e Shëndetit Publik. Një prej shkollave të shkatërruara është edhe ajo e fshatit Remanicë, ku mungojnë edhe kushtet më minimale, përfshirë këtu dyert e dritaret dhe ku lagështira është prezente kudo.
Po kështu, edhe në disa fshatra të rrethit të Skraparit situata e godinave të shkatërruara të shkollave është prezente në disa shkolla 9-vjeçare në zonat rurale. 19 500 nxënës në Qarkun e Beratit pritet të ndjekin mësimin këtë vit të ri shkollor, ku 1510 fëmijë në të gjithë qarkun janë regjistruar në klasën e parë.
Në Kotodesh të Bashkisë Prrenjas dita e parë e shkollës ka nisur me problem të mëdha. Ka mungesë librash, ndërsa kushtet në shkollë janë skandaloze, tavane të rëna ndërsa klasat janë pa dyer e dritare dhe banjo skandal. Fatos Karaj, kryetar i fshatit Kotodesh thotë se, do t’i vendosim kyçin shkollës.
Në Kotodesh kishte dikur një gjimnaz modern, ku nga Perrenjasi dhe Rrajca shkolloheshin në mijëra nxënës ndërsa sot një fshat me 2000 banorë është katandisur me 200 nxënës nga 500 dikur. Drejtoreshë shkolle është gruaja e një doganieri. Ndonëse gjendja në shkollë është skandalioze ajo mbrohet nga partia.
Fier, nxënësit bojkotojnë mësimin, dalin në protestë me prindërit
Më shumë se 350 nxënës të shkollës në fshatin Kallm i Vogël në Fier bojkotuan ditën e parë të shkollës. Shkak është bërë mungesa e infrastrukturës në zonë. Nxënësit e kanë shkollën shumë larg dhe kësaj i shtohet edhe rruga shumë e keqe plot gropa. Ata bojkotuan ditën e parë të shkollës në shenjë proteste për mungesën e infrastrukturës.
“Kjo është Shqipëria evropiane me rrugë me gropa për faqe të zezë. Punësim jo! Fëmijë në shkollë jo! Ne s’kemi mjete për të transportuar fëmijët. Vetëm 5 km larg. Është turp”, u shpreh një prind gjatë protestës.
Osman Dine, kreu i Shoqatës së Komunitetit Egjiptian kërkon zbatimin e vendimit të qeverisë që komuniteti egjiptian librat t’i marri falas. Mirëpo ata thonë se nuk na ka ardhur shkresë.
Kristian Livadhi dhe Monika Peniku janë dy fëmijë vetëm 11 dhe 12 vjeç që këtë 13 shtator nuk e kanë nisur ditën e parë të shkollës si të gjithë bashkëmoshatarët.
Në vend që të uleshin në bankat e klasës, ata janë rreshtuar në radhë për të blerë tekstet shkollore, pasi ende nuk kanë arritur të pajisen me to. Sorollaten sa në një pikë distributore në tjetrën, pasi paketa e plotë e librave që u duhen nuk gjenden në një vend të vetëm. “Nuk kam shku se na është dashtë me marrë librat”, thotë Kristani. “Deshëm me ble librat. Pse me ik kot në shkollë kur nuk i ke librat”, thotë Monika.
Në radhë prej ditësh, duke humbur punën janë edhe prindërit. “Qysh më datën 27 të paktën 10 herë jam këtu në radhë. Sot ka filluar shkolla, dy fëmijë i kam lënë në shtëpi”, thotë një prind.