Dita e rekordeve të zymta!

Nga Erion DASHO

Dita e djeshme shënoi disa rekorde aspak të dëshiruara.

Së pari, një 17 vjeçar u bë pacienti më i ri me COVID që humb jetën. Sipas mjekes kuruese, kishte ardhur në spital me mushkërinë totalisht jashtë funksioni. Në raste të tilla fatkeqe, vendet europiane (me të cilat kryeministri dhe ministrja e shëndetësisë na kanë krahasuar jo pak herë gjatë pandemisë) aplikojnë trajtimin me mushkëri artificiale dhe më pas transplantin e mushkërisë si zgjidhje përfundimtare. Ky është niveli i shëndetësisë europiane dhe jo qendrat shëndetësore të lyera bukur, të cilat i gjen edhe në Afrikë!

Së dyti, dje u arrit sërish vlera 19 e vdekjeve të raportuara (ndonëse shqiptarët e kanë të qartë tashmë se vdekjet e raportuara janë vetëm një fraksion i vdekjeve reale). Ky tregues i zymtë ishte arritur edhe në datën 24 nëntor, 5 dhjetor dhe 19 shkurt. Hera e parë që brenda një jave arrihet dy herë shifra maksimale e humbjes së jetëve.

Së treti, dje u arrit mesatarja 7 ditore më e lartë e vdekjeve gjatë gjithë epidemisë me 16.5 vdekje të ndodhura mesatarisht çdo ditë. Në 1 shkurt kjo mesatare ishte 9.8 vdekje ditore, pra një rritje gati 70% brenda më pak se një muaji. Rritja e mesatares ditore të vdekjeve tregon se numri i djeshëm prej 19 humbje jete nuk është rastësi por tendencë tashmë e konfirmuar.

Ndërkaq për numrin e rasteve është e kotë që të flasësh pasi testet e shpejta kanë mbaruar prej javësh tashmë dhe testimet janë “salduar” midis 3,800 dhe 4,000. Përjashtim bëjnë të dielat kur testohet shumë më pak.

Për të njëjtën arsye nuk mund të marrësh si pikë reference as numrin e të shtruarve, sepse qytetarët kanë kohë që po i shmangin spitalet, sidomos ato të ashtuquajtura COVID.

Përfundimisht, fundi i dimrit po e gjen sistemin shëndetësor shqiptarë në kolaps total, shqiptarët të sëmurë si kurrë më parë dhe vdekjet (megjithë fshehjen e tyre nga qeveria) në nivelet më të larta historike.

Këto rekorde të zymta kërkojnë përgjegjës tek ata që sot i kanë lënë shqiptarët pa teste, pa vaksina, pa spitale, pa kujdes shëndetësor!

Fatkeqësia e dytë e shqiptarëve do të ishte në se shkaktarët e kësaj mynxyre do të dalin pa lagur nga kjo histori…

Artikulli paraprakVetmia përballë bashkimit!
Artikulli tjetërPse sektori i Energjisë ndodhet në një situatë shumë të vështirë