Dita normale e një vendi të rënë në anarki

Bledi KASMI

24 orë në këtë vend do të ishin të barabarta me 24 vite në Finlandë, Suedi, Gjermani, Britani apo Francë, jo përsa i përket intensitetit të jetës, por përsa i përket intensitetit të skandaleve. Ditari i ditës së djeshme mund të jetë i mjaftueshëm për ta kuptuar më mirë se çdo të thotë një vend që ka rënë në anarki nga rënia e shtetit dhe marrja e pushtetit nga krimi, dhe për më keq akoma, ku të gjithë e konstatojnë, por askush nuk vepron.
Haberi i parë zyrtar i ditës së djeshme ishte lirimi nga burgu i ish-drejtorit të Fondit të Kujdesit Shëndetësor, Xhuvani. U dënua me 3 vjet burg, por në fund iu konvertua me kusht që gjatë kohës së provës të mos kryejë vepër tjetër penale. 420 mijë euro ishte shuma që grupi i tij ka përfituar përmes skemës së rimbursimeve fiktive të ilaçeve. Të gjitha këto para ta taksapaguesve që shkuan në xhepat e 4 individëve dhe nga dje janë të lirë për të filluar prap atje ku e nisën.
Haberi i dytë zyrtar i ditës së djeshme ishte Raporti i Kombeve të Bashkuara për drogën. Shqipëria konsiderohet si një nga 5 vendet më të mëdha në botë për kultivimin e kanabisit bashkë me Kolumbinë, Xhamajkën, Holandën dhe Paraguain. Përfitimet sipas raportit arritën në vitin 2014 nga ky trafik në 340 milionë dollarë. Në xhepat e kujt shkuan këto para? Asnjë reagim nga qeveria. Kryeministri hesht, ministri i Krimit hesht, sepse pa ata nuk do të ishte i mundur ky rekord që do të tejkalohet me disa herë këtë vit. Lajmi përcillet në cepat e disa mediave online për t’u fshehur nga televizonet dhe për t’u harruar në ditën e sotme nga gazetat nën kontrollin e plotë qeveritar.
Haberi i tretë i ditës së djeshme ishte tenderi i ministrit të Financave. Me 1 milion euro do të rikonstruktojë zyrën e tij dhe ndonjë zyrë tjetër në atë ministri. Para për luks personal, të cilat nuk dalin nga xhepat e tij, por nga xhepat e njerëzve të këtij vendi që sipas raportit zyrtar të Bankës Botërore 46.5% e popullsisë jeton me më pak se 4.6 dollarë në ditë. Brenda këtij haberi, ka edhe një nënhaber tjetër. Janë parashikuar edhe 54 tendera të tjerë vetëm për luks të zyrave qeveritare me shifra të përafërta.
Haberi i katërt zyrtar i ditës së djeshme është një afere e re me plehrat në Tiranë. Kumbarë të këtij projekti janë kreu i qeverisë, kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe botuesi car.bol. Përfitimi arrin në disa dhjetëra milionë euro në vit dhe për këtë ka nisur edhe lobimi për të rikthyer ligjin e anuluar të qeverisë Berisha, sepse tani i duhet klientelës.
Haberi i pestë i ditës së djeshme ishte grabitja e një tjetër banke. Kësaj radhe në qendër të Vlorës nga maskat e armatosura të qeverisë që policinë e kanë në kontroll dhe me të cilën bashkërendojnë punën se cila bankë e ka radhën ditën e sotme apo nesër. Fjalëkalimi i këtyre bandave që janë të paprekshme është Rama-Taho.
Haberi i gjashtë është ai i pasdites. Është një bombardim me skandale, por në të njëjtën kohë edhe dita normale e një vendi anormal. Nëndrejtori i Përgjithshëm i Burgjeve është vënë në pranga sepse vidhte ushqimet e të burgosurve përmes tenderave. Për çdo tender të porosive të supave, groshës, pilafit, makaronave etj. merrte nga 20 milionë lekë.
Haberi i shtatë është ai i orëve të darkës. Është qershia mbi tortë. Është ai që në fakt i jep përgjigjen më të mirë edhe 6 habereve të tjera të ditës. Ai bën përmbledhjen. Bëhet fjalë për letrën e hapur që deputeti i PS, Vladimir Kosta i drejton opinionit. Ai largohet nga partia dhe tregon se kush është në të vërtetë Kryeministri që na drejton, se si për të blerë edhe një media lokale në Berat i jep 110 milionë lekë, se si mban afër të droguarit që drejtojnë në qeveri dhe në bashki, dhe se si e ka degraduar vendin.
Kjo ishte kronika e ditës së djeshme.Një kronikë e një anarkie të paralajmëruar.

Artikulli paraprakNë pranga zv.drejtori i Burgjeve, vidhte me tenderat e ushqimeve
Artikulli tjetërFaqja e parë