Ditari i 48 orëve vjedhje të Ramës

Bledi KASMI

Asnjë popull në botë nuk vidhet nga qeveria sikurse vidhen shqiptarët. Edhe në gushtin e pushimeve babëzia nuk ndalet. Në ditën e parë të kthimit pas pushimeve, kreu i qeverisë ka firmosur tenderin prej 1.73 miliard lekësh, i cili i kalon deputetit Sadri për rivitalizimin e hapësirave publike në zonën pranë Pallatit të Kulturës në Dibër.
Oferta e kompanisë “ALKO Impex” të Sadriut ishte 220 milionë lekë më shumë se oferta më e ulët dhe megjithatë ai fitoi. Sadriu është i preferuari, sepse është në krye të fushatës së shitblerjes së votave në zgjedhjet e Dibrës. Ai është thirrur nën armë për të bërë rishpërndarjen e parave të korrupsionit që përfiton, pjesë e të cilës është edhe qiraja vjetore 55 mijë euro e nënshkruar mes tij dhe OSHE.
Brenda 48 orëve, Rama ka nënshkruar disa kontrata vetëm për miqtë e tij. Pas Sadriut vjen radha e Eftimit. E kujtoni kush është? Arkitekti i famshëm i Ramës në Bashki që firmoste dhënien e 48 lejeve të ndërtimit brenda një dite. Sot, ai është sërish i privilegjuari. Ateleri 4, u raportua dje se ka përfituar 1.7 miliard lekë nga Rama gjatë 12 muajve të fundit.
Nuk kanë të mbaruar projektet e zhvatjes. Dje u shfaq sërish e kudondodhura kompania 51N4E e projekteve të mëdha të Ramës dhe ku është e punësuar edhe vajza prej njerku e Ramës, Rea Xhillari.
Kompania 51N4E është kompania që ka hartuar librin e specifikimeve për rikualifikimin e Sheshit “Skënderbe”. Këtë libër specifikimesh ku janë detaje të ndriçimit, shatërvanëve, hyrjeve në shesh, bimësisë, gurëve të sheshit, ndriçimit e mjaft e mjaft detaje të tjera e gjeni të publikuar tek tenderi i Bashkisë Tiranë. Rikualifikimi Urban i Sheshit “Skënderbe” është një projekt i miratuar dhe buxhetuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, autoritet prokurues është Bashkia, ndërsa fituesi shpallet këto ditë.
Stefano Boeri, arkitekti që ka fituar garën për Planin Urbanistik të Tiranës, është në qendër të akuzave në Itali, pasi ka fituar një projekt 40 mijë euro pa konkurim në një bashki të Italisë dhe hetimi mund të çojë në masa penale ndaj tij.
48 orëshi i fundit ka një raportim edhe për drejtuesin e ILDKP-së, Ganën. Atij që do t’i besohen kontrollet dhe verifikimi i pasurive të gjyqtarëve dhe prokurorëve ka vendosur t’i bëjë dhuratë vetes një makinë me vlerë 83 milionë lekë nga paratë e taksaguesve. Nuk dihet nëse do të jetë me xhama të zinj.
Mos harroni se lumi fle, por Beqja jo. Në këto ditë të gushtit, ai vjen me disa supriza të reja që do të zbulohen ditët e ardhshme. Ka ngjyer duart sërish në disa qindra milionë lekë tendera që i ka fituar kompania e tij.
Për kujtesë të këtyre 48 orëve të fundit edhe tenderi fiktiv prej 7 milionë eurosh nga OSHEE me qëllim verifikimin e adresave të abonentëve. Ministri i Ramës, Ahmetaj, raportohet të ketë lënë 80 mijë euro në një natë të vetme në kazinonë e Porto Carras në Greqi, ndërsa arkës së shtetit sipas ministrisë që ai drejton i mungojnë në muajin korrik 22 miliardë lekë nga tatimet dhe doganat.
Shqipëria në epokën dixhitale, denoncime pa fund dhe reagime shterpë.

Artikulli paraprakJanë çmendur do privatizojnë edhe ujin
Artikulli tjetërBasha nesër me Shehun në Dibër