Seda SERDAR
Kryeministri turk Ahmet Davutoglu dhe mysafirët e tij evropianë, midis tyre Kancelarja Angela Merkel, inskenuan një shou të madh në Gaziantep. Që prej mbërritjes së tyre në kampin e refugjatëve Nizip, ku nëpër çati qenë pozicionuar snajperë; në postera që tregonin Kancelaren dhe nën të sloganin “solidaritet me refugjatët”, gjithçka dukej e planifikuar në mënyrë perfekte.
Në një konferencë shtypi, Davotoglu theksoi se Turqia është pjesë e familjes evropiane. Po, Turqia është krenare që i tregon botës sa mirë vepron ajo me problematikën e refugjatëve. Lëvdimi që i bëri Presidenti i Këshillit të BE, Donald Tusk Turqisë gjatë vizitës atje është i merituar – kur bëhet fjalë për kampe refugjatësh. Është fakt, që Turqia i ka hapur kufijtë e saj, për të lejuar të hyjnë në to sirianët, që kanë marrë arratinë nga regjimi i Assadit. Ky ishte një akt humanitar që nuk e ka kryer askush tjetër në këtë formë.
Sot, pesë vjet më vonë, një pjesë e madhe e refugjatëve jashtë kampeve lufton megjithatë për të mbijetuar – dhe një perspektivë të trëndafiltë këta njerëz nuk kanë. Dëshira e tyre për t’u kthyer në Siri duket se është bërë e largët, po të shohësh atë që ndodh në Siri. Pyetja që shtrohet është: si do t’i integrojë Turqia 3,1 milionë njerëz? Sa është e gatshme Evropa që të ndihmojë për këtë?
Vizita e Angela Merkelit, Donald Tuskut dhe Frans Timmermannit në Turqi tregon para së gjithash një gjë: Evropa është e gatshme thuajse për gjithçka, për t’i mbajtur refugjatët në Turqi. Dhe për këtë flasin para së gjithash dy aspekte. Së pari: të gjithë, duke përfshirë Angela Merkelin bënë përpjekje që të mos i thellojnë më tej tema delikate, si liria e mendimit dhe shkeljet e të drejtave të njeriut në Turqi.
Sinjalin e dytë e dha Frans Timmermann, zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian. Nëse për BE në të kaluarën qe shumë e rëndësishme që ndihmat për refugjatët t’ua përcillte në radhë të parë organizatave ndërkombëtare të ndihmës, Timmermann tha në këtë vizitë se mund të përfytyrohet që të lidhen marrëveshje direkte me qeverinë. Kjo mund të shihet si një fitore tjetër e qeverisë së Ankarasë. Nëse puna do të vijë deri këtu, a do t’i verifikojë BE shpenzimet? Apo do të sundojë besimi reciprok?
Raporti i besimit midis BE dhe Turqisë është shumë i brishtë. Të dyja palët kalojnë nga një krizë në tjetrën, megjithëse flasin shumë me njëra-tjetrën dhe të dyja e kanë bërë të qartë se duan t’i përmbahen planit, që turqit të udhëtojnë në të ardhmen pa viza në BE. Davutoglu theksoi edhe njëherë se kjo është pjesë e marrëveshjes së kthimit. Por kjo do të thotë se BE e presin kohë të vështira.
Evropa me sa duket do t’i përmbahet një politike me sa më pak kundërshti. Tema si ruajtja e të drejtave të njeriut dhe liria e mendimit, tema që përfaqësojnë Evropën, do të përmenden me raste. Kështu veproi këtë herë Tusk, kur Davutoglu u shpreh qartë për çështjen e satirës së komedianit gjerman Böhmermann. Tusk tërhoqi vëmendjen në një kufi shumë të hollë midis kritikës, fyerjes dhe shpifjes. Kur politikanët duan të vendosin për këtë kufi “ky mund të ishte fundi i lirisë së mendimit”, paralajmëroi ai. “Unë shpresoj se tema e të drejtave të njeriut nuk do të jetë në të ardhmen tema jonë qendrore”, tha Tusk.