Ditën e dytë pas zgjedhjeve Rama sulmoi SPAK nëpërmjet ministrit të Drejtësisë/ Lapardhaja: Berisha asnjë fitore në krye të PD, shumë larg nga Basha i 2021

Analiza e situatës paszgjedhore dhe politike nga Namir Lapardhaja në ‘Studio Live’. Pse mendon se berisha nuk do e respektojë statutin, pse kanë frikë nga presioni grupimet brenda PD-së dhe shkaqet e humbjes së opozitës më 11 maj. Pse nuk u bashkuan dot partitë e reja dhe çfarë pritet të ndodhë në politikën shqiptare.

Sali Berisha ka mendësi staliniste me qasjet e tij ndaj argumenteve politike në Shqipëri dhe kundër tij nuk pritet të dalin grupe apo figura të reja, ashtu sikurse as mund të mendohet largimi i tij nga PD për të respektuar pikërisht atë statut që votoi në Kuvendin e partisë si “Neni Basha”, pas humbjes së zgjedhjeve të 11 majit.

Kjo ishte analiza e bërë sot në ‘Studio Live’ nga Namir Lapardhaja, i ftuar i moderatorit Arbër Hitaj në Report Tv për situatën paszgjedhore dhe politike në vend.

Analisti tha se partitë e reja e humbën shansin e tyre në zgjedhje, që ishte bashkimi që do u jepte trefishin e mandateve, ndërsa shpresën e vetme të vendit dhe qytetarëve sheh pikërisht Drejtësinë dhe SPAK, që të çojnë më tej punën e nisur të tyre.

“Ato janë vota edhe kundër qeverisë së Ramës, por edhe kundër Berishës në krye të PD-së. Nëse e ke ditur paskan peshë e marrin vota për deputetë, ti ke përgjegjësi, detyrë permanente që të bënte përpjekjet për bashkim. Edhe pse ata e kishin deklaruar se nuk shkonin te Berisha, pasi rrezikonin të mos merrnin aq vota. E vetmja rrugë për të krijuar mesazh të qartë te opinioni shqiptar ishte bashkimi i një fronti të përbashkët të partive të reja. Sepse ata duhet t’u ofronin shqiptarëve shpresë, atë që kërkojnë edhe qytetarët. Dhe po të ishin bashkuar, do kishin prodhuar të paktën 3-fishin e mandateve që morën”, argumentoi Lapardhaja për ‘Studio Live’.

Por a do vazhdojë misioni i forcave të reja, apo do shuhet dhe a ka shpresë se politika shqiptare do të ndryshojë?

“Misioni politik i forcave të reja mendoj se do vazhdojë, edhe pse ka edhe konflikte mes tyre që i pamë gjatë fushatës dhe i zgjidhin vetë. Shqipëria ka nevojë për një politikë jokonfliktuale, që të mbështesë drejtësinë. Pasi e pamë se ditën e dytë që PS fitoi zgjedhjet, ministri i drejtësisë shkoi te SPAK për t’i treguar se si bëhet hetimi. Por edhe mbyllja e karrierës politike nuk është fundi i botës. Rama ka pasur probleme me qeverisjen në mandatet e tij, sepse pushteti të korrupton dhe pikërisht për këtë shkak mendoj se ai bëri edhe rinovimin e listës së deputetëve, duke e rifreskuar”, tha ai.

Lapardhaja nënvizoi se ajo nga e cila presin qytetarët më shumë se politika, është pikërisht Drejtësia dhe SPAK-u.

“Do shohim nëse SPAK do shkoj deri te Rama dhe familjarët e tij, pasi një pjesë e madhe e zyrtarëve dhe ministrave janë nën hetimin apo verifikimin e SPAK e drejtësisë. Por nëse do rritet kontrolli i pushteteve, arroganca dhe problematikat mendoj se do jenë më të shumta. Me interes dhe rëndësi është ajo që pritet nga SPAK-u, nëse Prokuroria do shkojë deri në fund çështjeve, sepse pjesa tjetër është një film i parë. Kjo është në të mirën e qytetarëve, vendit, por edhe qeverisë. Pra të kenë frikë nga drejtësia, pasi i shërben edhe buxhetit të shtetit dhe më pak problemeve”, përfundoi ai.

Exit mobile version