A mund të imagjinohet ndonjë ministër i Jashëtm i vendeve të NATO-s të bëjë fushatë elektorale me trafikantë kokaine? Kjo nuk ndodh askund, përveçse në Shqipëri. Një fotografi e publikuar në faqen zyrtare të ish-Kryeministrit Berisha, e identifikon atë nën shoqërinë e dy personave, Zef Luka dhe Arben Tuci. Të dy persona që duhej të ishin ende në burg për veprimtarinë e tyre kriminale, por që i kanë shpëtuar drejtësisë në vitin 2015 në prag të zgjedhjeve lokale. Si i deleguar i PS për Qarkun Shkodër, Ditmiri i cili duhej të prezantojë politikat dhe qëndrimet e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, s’e ka shumë problem të heqë petkun e diplomatit dhe të veshë atëtë trafikantit kur vjen puna për të mbajtur pushtetin.
Zef Luka
Por kush janë personat që dalin me të në foto? I pari është Zef Luka, një njeri që njihet në të gjithë zonën si trafikant i lëndëve narkotike. Ai rezulton të jetë nga fshati Gjegjan i Pukës, një fshat i cili në vitin 2016 rezultonte ndër më të mbushurit me parcela kanabisi, ku ishin implikuar dhe zyrtarë të lartë të policisë. Burime nga qyteti i Pukës thanë për “RD” se, Luka nuk është i rastësishëm në atë foto. Ai ka qenë pjesëtar i klanit të vëllezërve Frroku, që kandiduan për deputetë nën siglën e Rilindjes në vitin 2013. Të dy janë në burg, i pari për vrasjen e një komisari policie Dritan Lamaj dhe i dyti u mor nga salla e Parlamentit për një vrasje të kryer në Belgjikë. Aktiviteti i tyre tashmë dihet. Zef Luka mendohet se punon ende për llogari të vëllezërve Frroku. Pas arrestimit të tyre, duket se stafetën ia kanë lënë deputetit tjetër Pjerin Ndreu, që ka shkuar i deleguar në Lezhë. Zef Luka është arrestuar për llogari të drejtësisë zvicerane rreth vitit 2011, por është liruar në prag të zgjedhjeve lokale të vitit 2015 ku ka dhënë një kontribut jo të vogël në zgjedhjen e Gjon Gjonit, kryetar aktual i Bashkisë Pukë. Edhe ai shihet në shoqërinë e Lukës dhe Tucit, në një takim elektoral që është zhvilluar në këtë zonë.
Albert Tuci
I dyti është Albert Tuci. Dhe ky ka një CV për t’u pasur zili për sa i përket rekordeve kriminale. I arrestuar në vitin 2012 pasi u kap duke transportuar lëndë narkotike, do të dënohej nga gjykata me shtatë vjet heqje lirie. Albert Tuci rezulton të jetë vëllai i ish kryetarit të Bashkisë së Fushë-Arrëzit, Fran Tuci. Është dënuar për trafik ndërkombëtar droge me shtatë vite burg në vitin 2012, por mesa duket ka përfituar nga amnistia elektorale e Ramës në vitin 2015. Por nuk mbaron me kaq. Në vitin 2016 pas një aksioni të forcave operacionale, ai do të arrestohej sërish, por ka qenë pikërisht ndërhyrja e deputetit Pjerin Ndreu që e ka shpëtuar dhe që është prezent në fotot e publikuara nga ish-Kryeministri Berisha. Ngjarja do të mbahej e fshehtë nga mediat, por do të ishte Partia Demokratike ajo që do e denonconte. “Dje rreth orës 19.00 në Fushë-Arrës është ndaluar me forca operacionale vëllai i kryetarit të Bashkisë, Albert Tuci, person me precedentë penalë, i dënuar për trafik ndërkombëtar droge me 7 vite burg. Policia e Fushë-Arrësit nuk ka pasur dijeni, është shmangur nga ky aksion, për shkak të njohjeve dhe lidhjeve që i dyshuari ka në këtë bashki. Pasi është mbajtur disa orë më pas në Komisariatin e Pukës, Tuci ka fituar lirinë, me ndërhyrjen e deputetit Pjerin Ndreu. Dhe pas kësaj, një festë e madhe është zhvilluar në lokalin në qendër të Fushë-Arrësit, me dolli pafund për deputetin Ndreu, i cili i hoqi prangat të dyshuarit, vëllait të kryetarit të Bashkisë”. Albert Tuci, ka dalë sërish duke festuar, por këtë herë veç Ndreut është dhe ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati.
Pas Tepelenës, Puka vendi ku u mboll më shumë drogë!
Prej vitit 2015, Puka u shndërrua në një nga zonat më të mëdha për kultivimin e drogës. Në vitin 2016, pas Tepelenës ajo do të renditej e dyta. Zonat më të prekura ishin ato të Gjegjanit dhe Qelës për shkak dhe të burimeve ujore. Me ndihmën e policisë, këtu bëhej dhe një luftë e diferencuar, ku aksionet përqendrohen në parcelat e qyqarëve pa përkrahje politike, por nuk prekeshin parcelave e personave që kishin lidhje me kupolën e pushtetit. Në vitin 2016 Puka do të renditej e dyta për sipërfaqen e mbjellë dhe aksi Pukë-Fushë-Arrëz-Gjegjan mund të konsiderohej dhe si trekëndëshi i drogës. Në magazinat e mbushura për tharje me gjithë denoncimet, policia nuk do të ndërhynte asnjëherë. Ishin të përfshirë të gjithë, policia, pushteti lokal dhe të gjithë të tjerët, që merrnin fitime nga ky aktivitet kriminal. Për banorët e Pukës, një nga zonat më të varfra të Shqipërisë, ky realitet nuk do të ndryshonte asgjë. Ndaj tyre u shtua represioni, qoftë për energjinë qoftë për taksat e tjera. Ata që pasuroheshin ishin pikërisht ata që sot ndihmojnë Ditmirin dhe Ramën në fushatë, duke shtuar akoma më shumë varfërinë e njerëzve atje.
Një histori diplomacie me kriminelë
Ditmir Bushati e ka ditur fort mirë se me kë po bënte fushatë elektorale teksa shtrohej me të ngrëna e me të pira me narkotrafikantë. Zef Luka nuk është një emër i panjohur, ashtu dhe Albert Tuci. Natyrisht meritë në këtë ka dhe sekseri Pjerin Ndreu, por kjo pak rëndësi ka. Në fakt, Ditmiri i diplomacisë nuk është hera e parë që përfshihet në skandale, por nuk është ky qëllimi. Ka një orientim të qartë nga ana e Ramës për të bazuar dhe reklamuar fushatën me njerëz me rekorde kriminale. Dhe në këtë rrjet të madh manipulimi janë përfshirë të gjithë. Imagjinoni një moment ç’do të ndodhte sikur ministri i Jashtëm i një vendi anëtar të NATO-s të shihej nën shoqërinë e njerëzve të dënuar për narkotrafik? E pra, ky është realiteti shqiptar! Më një anë kemi kryeministrin me propagandën e tij bajate për luftë kundër drogës dhe në anë tjetër kemi kupolën e pushtetit që nuk heziton që për një grusht votash të reklamohen me persona të inkriminuar. Panorama është e qartë, zgjedhjet janë në rrezik dhe me këtë qeveri nuk mund të shkohet në to. Nuk mund të shkohet me një kryeministër, që përpara interesave të qytetarëve ka interesat e klaneve dhe përfshihet bindshëm në pazaret e tyre. Nuk mund të shkohet me një ministër të Jashtëm, i cili sapo vjen nga takimet me ministrat e Jashtëm të NATO-s ulet me trafikantët që dërgojnë lumenj droge drejt Perëndimit. Nuk mund të shkohet me një ministër të Brendshëm, vëllai i të cilit akuzohet për trafik kokaine nga Italia në Venezuelë. Zgjedhjet, me këtë kryeministër nuk mund të jenë kurrsesi në shërbim të qytetarëve, por vetëm në shërbim të klaneve dhe narkotrafikut, si të tilla vetëm të lira s’mund të jenë.
Zef Luka, njeriu që adhuron jetën luksoze pa punuar!
Zef Luka duket se e ka fort për zemër jetën luksoze dhe atë nuk heziton ta fshehë dhe në rrjetet sociale. Për shembull, në një prej fotove të tij ka reklamuar një divan të mbushur plot me euro dhe para shqiptare të prerjeve të ndryshme. Shokut të Ditmir Bushatit i pëlqejnë dhe makinat e luksit. Nga ana tjetër burime të komunës, shprehen se personi në fjalë është problematik dhe i implikuar në trafikun e lëndëve narkotike atje. Ka lidhje të forta me qeveritarët dhe ka qenë shok i ngushtë me vëllezërit Frroku, të cilët dyshohen se aktivitetin e tyre kriminal e kanë shtrirë pikërisht në Komunën Gjegjan në kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike. Në vitin 2015, teksa bënte fushatë për kreun e Bashkisë Pukë, Mark Frroku është parë jo pak herë të vizitojë Komunën e Gjegjanit, gjithmonë nën shoqërinë e personave me precedentë kriminalë. Kjo gjë ka ndodhur dhe në fushatën e 2013-ës, asokohe dhe në shoqërinë e të vëllait Arben Frroku, i akuzuar për vrasjen e komisarit Lamaj. Por hyrja e tyre në burg jo doemos do të thotë ndërprerje të aktivitetit të tyre kriminal në këtë zonë, të paktën me Edi Ramën kryeministër jo. Stafetën e tyre tashmë e ka marrë Ditmir Bushati, i cili po përdor të njëjtat lidhje për të manipuluar votat e banorëve të zonës.
Berisha: Ditzi Bushati dhe Pjerin Ndreu në shoqërinë e dy trafikantëve të drogës!
Fotot do i bënte publike ish-Kryeministri Berisha në faqen e tij zyrtare në Facebook. Nga ana e Bushatit nuk pati asnjë reagim, as nga ana e Ramës, i cili premton luftë kundër drogës dhe narkotrafikantëve që në fakt i ka thirrur nën armë për zgjedhjet e ardhshme. Sipas qytetarit që ka dërguar fotot, Ditmir Bushati, Pjerin Ndreu dhe Gjon Gjoni, kryetari i Bashkisë së Pukës, po kryejnë takime me qytetarët nën shoqërinë e kriminelëve.
“Qytetari dixhital denoncon: Shoqërimin e Ditzi Bushatit, Pjerin Ndreut, Gjon Gjonit nga trafikantët e drogës Albert Tuci, Zef Lukaj (shih fotot).
– Të dënuar për trafik ndërkombëtar droge në Itali. Sipas tij janë paratë dhe parcelat e drogës që i bashkojnë këta pushtetarë me trafikantët.
Po rikujtoj këtu se media ndërkombëtare serioze kanë akuzuar Ditzi Bushatin se gjatë vizitës zyrtare në Brazil ai ka shkuar në një shtëpi publike burrash dhe Ditziu nuk ka njoftuar se ka paditur në gjykatë akuzuesin, si duket nga video që mund t’i paraqitej në sallën e gjyqit!”. “Përshëndetje zoti Berisha. Po ju informoj se Ditziu Bushati së bashku me Pjerin Ndreun dhe me kryebashkiakun e drogës Gjon Gjoni, po zhvillojnë takime me banorët e rrethit Pukë. Ditziu Bushati dhe trafikanti Gjonaj shihen teksa bëjnë foto në mes të dy trafikantëve të drogës të dënuar me vendime gjykate, konkretisht Albert Tuci (vëllai i kryetarit të Bashkisë Fushë-Arrëz) i dënuar me rreth 6 vite burg për kultivim dhe trafikim lënde narkotike dhe me Zef Lukën, i dënuar në Itali për trafik ndërkombëtar droge. Ditzi Bushati, Pjerin Ndreu dhe Gjon Gjonaj gjenden gjatë gjithë kohës nën shoqërinë e grupit të trafikantëve të drogës të drejtuar nga vetë këta pushtetarë. Ndarja e parcelave të drogës dhe shpërndarja e parave të drogës është motivi i këtyre kriminelëve. Fotot flasim vetë, ju lutem bëjeni publike, me respekt”, thuhet në postimin e ish-Kryeministrit.