“Divorc sipas stilit shqiptar”

Nga Agim Baçi

Kushdo që ka parë apo risheh dokumentarin “Divorc sipas stilit shqiptar”, të regjisores bullgare, Adela Peeva, mbi historinë gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri të grave të burgosura, të detyruara të emigrojnë dhe të braktisin familjet e tyre, vetëm sepse ishin të huaja, nuk mund të mos ndalet në tre personazhe që bartin shumëçka nga ajo pjesë e shoqërisë në këto vite ka dashur të justifikojë krimet me sloganin “zbatova ligjet, ashtu ishte koha”. Ato janë ish hetuesja Doloresi, që vijoi karrierën edhe në demokraci, apo ish marangozi që u bë prokuror, Konomi, apo edhe Hila, të cilat Peeva ka mundur t’i intervistojë. Dhe do të mjaftonte arroganca e tyre ndaj atyre që kishin dhunuar gjatë marrjes në pyetje në hetuesi, e sidomos mungesa e plotë kurajos për t’u kërkuar falje viktimave të atyre krimeve, për të kuptuar se shoqëria shqiptare e ka patur thuajse të pamundur të shërohet edhe pas mbi tre dekadash nga ndryshimi i atij regjimit.

Dokumentari “Divorc sipas stilit shqiptar” i regjisores bullgare, fitues i shumë çmimeve ndërkombëtare, përqendrohet në historinë e tri martesave. Në rastin e parë, ai mes një shqiptari dhe një polakeje, që të dy ishin dënuar me vdekje. Por më pas, ky vendim u transformua në 25 vjet burg për burrin, ndërsa gruaja u lirua falë ndërhyrjes së qeverisë polake. Si përfundim, Barbara u rikthye në Poloni, por tashmë ishte vonë sepse kohëzgjatja e të marrit në pyetje dhe drogat që kishin përdorur, e kishin prekur shëndetin e saj mendor. Pastaj është historia e një gruaje ruse e cila kishte vuajtur 10 vite burg. Në atë kohë burri u nda prej saj duke u rimartuar me një shqiptare për të treguar devotshmëri ndaj regjimit. Edhe i biri mjek mohoi publikisht të ëmën që quhej “armikja e popullit” në një mbledhje për të rinjtë komunistë. Ai refuzoi ta shihte edhe pas lirimit të saj. Gruaja jetoi në Moskë larg djalit dhe vajzës. Historia e tretë në një farë kuptimi ka një përfundim më të mirë. Burrë e grua, ai shqiptar dhe ajo ruse qëndruan në burg për më shumë se 12 vjet, por në fund arritën të bashkoheshin edhe me fëmijët e tyre që në kohën e burgut ishin birësuar.
Dokumentari ka vlerë të veçantë sepse përveç atyre që u burgosën e dhunuan, ka mbledhur historitë edhe të torturuesve të tyre. Është Hila nga ish Sigurimi, i cili në atë kohë merrej me të huajt, është Doloresi që i merrte në pyetje dhe që pas vitit 1990 vijoi si prokurore e më pas drejtuese e një kompanie private në Tiranë, dhe ish marangozi- prokuror, Konomi, i cili kishte mbështetur akuzën në të tria rastet.
Dhe ironia është se asnjë nga të tre persekutorët duket se nuk e kupton që ata kanë kryer krime… asnjë prej tyre nuk është penduar. Që të tre janë të bindur se kanë kryer vetëm detyrën.
Ndërsa viktimat shfaqin ndjenja të urrejtjes.., por askush prej tyre nuk kërkon hakmarrje.

Artikulli paraprakTenderi me vlerë afro 400 milionë euro/ BIRN: Qeveria dështon të tërheqë ofertues për portin e ri të Durrësit
Artikulli tjetërAksion i shkëlqyer, Asllani na jep avantazhin në Tbilisi (VIDEO)