Djali i regjisorit të njohur Mihallaq Luarasi, Eldon Luarasi ka reaguar pas pretendimeve të kryeministrit se regjisori ka qenë pro shembjes së Teatrit Kombëtar.
Në një prenoncim për FaxNeës, Luarasi shprehet se Teatri Kombëtar ka qenë një amanet i të atit, i cili i kushtoj atij jetën.
“Mos i trazoni të vdekurit Z. Kryeministër! Nuk mund t’ju përgjigjen dhe nuk mund t’ju kundërshtojnë.”, shprehet Luarasi duke shprehur bindjen më të madhe se demokracia mbart vlera të padiskutueshme.
Eldon Luarasi është një nga qëndrestarët e teatrit, i cili përveç kundërshtimit të prishjes së godinës shpeshherë edhe e ka gëdhirë në sheshin e Teatrit në shenjë proteste.
Reagimi i plotë i Luarasit:
“Mos i trazoni të vdekurit Z. Kryeministër! Nuk mund t’ju përgjigjen dhe nuk mund t’ju kundërshtojnë. Në emër të tim eti, njeriut që i kushtoi jetën Teatrit, po ju bëj me dije se unë i biri, amanetin e tij mbi Teatrin Kombëtar, e njoh më mirë se kushdo tjetër.
Në një nga librat e tij im atë ka shkruar: “Varrmihësit nuk dëgjojnë se nuk duan të dëgjojnë. Ata duan të hedhin lopatat e fundit të dheut mbi arkivolin e Teatrit Kombëtar. Teatri Kombëtar nuk mund të vritet sepse këtë krim mund ta bëjë vetëm një armik i jashtëm, një pushtues që shtien për të vrarë kombin tonë. Sot për sot ne nuk jemi të pushtuar (dhe asnjëherë mos qofshim), prandaj kjo gjëmë është e pamundur.”
Që prej një viti e gjysmë jam pjesë e Protestës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar fillimisht si qytetar dhe më pas si artist me bindjen se Demokracia e vërtetë mbart vlera të padiskutueshme.”, shprehet Luarasi