“Djalli” i pakalueshëm

Përballja mes Milan dhe Arsenal do të jetë padyshim sfida më tërheqëse e 1/8-ve të Europa League. Dy klube të mëdha që kanë humbur shkëlqimin e dikurshëm do të sfidohen të enjten në mbrëmje për një vend në çerekfinale. Vendasit do të paraqiten në këtë ndeshje me një moral më të lartë për shkak të gjashtë fitoreve radhazi të marra nga Gennaro Gattuso, që ka arritur të përmbysë situatën pasi ka marrë vendin e Vincenzo Montella-s në drejtim të kuqezinjve.  Madje, Milan është kthyer në garë për një pozicionim mes katër të parëve në renditjen e kampionatit italian. Një tjetër mundësi për të siguruar një vend në edicionin e ardhshëm të Champions League është të fitosh Europa League. Kjo është, në fakt, mundësia e vetme që i ka mbetur skuadrës së Arsene Wenger, e cila mban vendin e gjashtë në renditjen e Premier League, 13 pikë larg vendit të katërt dhe të fundit që siguron kualifikimin në fazën me grupe të kompeticionit më të rëndësishëm europian për klube.  Shorti i 1/8-ve nuk ka shkuar në ndihmë të trajnerit francez, por ai duhet të mendojë të marrë me çdo kusht një rezultat pozitiv pavarësisht se cili është kundërshtari, vetëm kështu mund të shpëtojë vendin e punë. Nuk do të jetë e lehtë për londinezët të largohen me buzëqeshje nga “San Siro”, veçanërisht duke parë problemet e shumta që ka mbrojtja. Mustafi me shokë, në fakt, kanë pësuar 8 gola në tri humbje të njëpasnjëshme. Për më tepër, Arsenal ka humbur katër transfertat e fundit që ka luajtur në kampionat dhe do ta kenë shumë të vështirë ta ndalin këtë ecuri kundër Milan-it, me këta të fundit që kanë marrë pesë fitore dhe një barazim në gjashtë ndeshjet e fundit që kanë luajtur në “San Siro”.
Shifra dhe fakte
– Këto dy skuadra janë përballur katër herë në Champions League dhe Arsenal ka qenë më i suksesshëm me dy fitore kundër 1 të kuqezinjve.
– Në asnjë nga katër përballjet e mëparshme nuk ka pasur gola nga të dy ekipet.

Artikulli paraprakLokomotiva e Moskës sfidon Atleticon
Artikulli tjetërDiskriminimi Rama, mësuesit me paga mjerane dhe pa kontrata pune