Djathtas dhe Drejt, alternativa e Partisë Demokratike për të shpëtuar vendin

Erl KODRA

A është e mundur që Partia Demokratike të rrëzoj qeverinë e Kryeministrit Edi Rama dhe të fitojë besimin e shqiptarve? Unë them se po, mundet. Por, për të arritur këtë objektiv, ajo më parë duhet të fitojë mbështetjen e madhe të dy grupeve shoqërore që janë:
1. 400.000 deri 500.000 shqiptarë që mbijetojnë në kushtet ekstreme ekonomike. dhe
2. Elektorati indiferent që nuk voton, shtresa më skeptike por edhe fodulle e shoqërisë shqiptare.
Si mund të fitohet mbështetja e këtyre dy grupeve të mëdha shoqërore, që për hirë të së vërtetës, pikërisht këto grupe do të jenë edhe çelësi i suksesit ekonomik të Shqipërisë?
Shqipëria është një vend i varfër. Në fakt është disi e vështirë për të dhënë një definicion përfundimtar se çfarë është saktësisht Shqipëria, në kuptimin e resurseve dhe potencialit ekonomik, pasurive të saj përfshirë edhe ato natyrore, tokësore dhe mbitokësore, klimës dhe pozicionit gjeografik. Të gjitha elementët e përmendura më sipër të çojnë në përfundimin se Shqipëria nuk duhej të ishte në këtë gjendje ekonomike, sepse Zoti na ka vendosur në këtë pjesë të botës ku gjithçka është me bollëk; male, fusha, lumenjë, liqene, kodra, diell dhe det, pa harruar nëntokën e pasur me naftë dhe minerale. Një Parajsë e tillë ka qenë dhe mbetet edhe ëndërra e fqinjëve tanë në shekuj.
Por jo, Shqipëria është vendi të cilin e kanë braktisur afërsisht dy milion shqiptar që prej vitit 1990 e deri më sot. Edhe autori i këtyre rradhëve është njëri prej tyre. Braktisja e vendit ka ardhur saktësisht për arsye llogjike; në Shqipëri nuk ka patur dhe nuk ka një politikë të tillë shtetërore, që t’i mbaj njerëzit të lidhur me vendin e tyre. Për më tepër, politika shqiptare ka ndërtuar apriori një “politikë në funksion të vetvetes”, pra ajo ka operuar në mënyrën më idiote dhe të pacipë; politikë në funksion të kontribuesve të saj.

*) Që të kuptohet ideja e asaj çfarë dua të them, ju lutem përpiquni të shikoni “ngrehinën” që është ngritur dhe bënë hije mbi këtë dhe: Partia shikohet si pjesa më e ndritur e shoqërisë, që i meriton dhe i takojnë të gjitha; asaj i takon pushteti, asaj i takon forca, asaj i takon lavdia, Partia është ajo që të bën dikushin në jetë, ajo ka të drejtë të të punësoj, të shpërndajë fonde dhe ofiqe, partia të bën ministër e deputet, dhe ti pas kësaj ke të drejtën e përjetshme të mbetesh aty, të mos shkulesh prej karriges dhe pozitës që ke patur tash e 27 vjet “demokraci”. Shkurt, partia (nënkupto eksponentët e partisë) shikohet gjithmonë si diçka sipër teje, që e meriton të qëndroj diku lart sipër qafës tënde në jetë të jetëve, dhe ti, individi që e voton atë, duhet të jesh gjithmonë ai që i lutesh asaj (nënkupto figurat e partisë) për të të gjetur një punë, që për ty përkthehet në dilemën më të madhe të jetës; të jetosh në Shqipëri, apo ta braktishësh atë.
Shënim:
Saktësisht, paragrafi i shënuar me këtë simbol – *)-, ka qenë arsyeja kryesore pse Partia Demokratike humbi zgjedhjet e vitit 2013. Të gjithëve u kujtohet “nuri” hijerëndë i kamjes dhe i vetkënaqësisë që i kishte kapluar ish ministrat e Partisë Demokratike dhe “kastën e drejtorëve” të gjithëpushtetshëm, që të dërrmonin vetëm me madhështi boshe, pa e kuptuar se në të vërtetë, ata janë kurrkushi. Kurrkushi, mes të tjerash do të thotë, kur ti nuk je në gjendje të artikulosh asnjë ide tënden politike dhe ekonomike, ide e cila do të mund të merret nga partia jote për t’u implementuar në programin e saj politik dhe ekonomik, me qëllimin e vetëm ngritjen e vendit, nxjerrjen e tij nga varfëria ekstreme, dhe “globalzimin” e Shqipërisë me pjesën tjetër të Europës.
Partia (kjo është karakteristika thelemore e të majtës shqiptare) ka edhe një aftësi speciale për të krijuar lidhje të veçanta, të dallueshme edhe me sy të lirë, me dy “kasta” të fuqishme shoqërore, të cilat në vetvete pothuajse janë të shkrira në një; biznesi dhe krimi i organizuar. Në këtë mënyrë, tashmë është krijuar lloji i lidhjes që pothuaj e asgjëson krejtësisht nevojën për të patur programe politike dhe ekonomike, për të cilat një forcë politike pretendon se ekziston.

Kështu krijohet shoqëria “kastave”, ku, dy janë “kastat” që nuk munden ose nuk duan të përzihen me partinë; 1. Shtresa e varfanjakëve dhe e të mjerëve, dhe 2. Shtresa e indiferentëve fodull, që e përçmojnë në bllok politikën e partive shqiptare.
Si mundet Partia Demokratike që të fitojë vëmendjen dhe mbështetjen e këtyre dy “kastave” shoqërore?
Në të vërtetë, kjo nuk është aspak e vështirë. Madje, mund të thuhet me bindje të plotë, se nuk ka një vend të botës ku njerëzit gënjehen dhe ushqehen me lugë bosh nga politikanët e saj, ashtu si në Shqipëri. Ndaj, nuk është aspak çudi, që nëse Partia Demokratike fillon hartimin e një programi serioz politik dhe ekonomik, por kësaj here të mbështetur në shifra dhe fakte reale, për “kastën” e të mjerëve të Shqipërisë, me siguri që ajo do të fitojë vëmendjen e thellë dhe mbështetjen e jashtëzakonshme të 500.000 shqiptarve që jetojnë në zgrip të ekzistencës fizike. Nuk ka forcë më të madhe njerëzore se sa kur u jep shpresë ëndrrave të nënave dhe baballarëve, se fëmijët e tyre do të mund të shkëputen nga kthetrat e varfërisë.
Ky program politik dhe ekonomik për të varfërit e Shqipërisë, në të vërtetë është i thjeshtë, efikas, i realizuashëm dhe i zbatueshëm, dhe do të sigurojë një rritje ekonomike të fortë dhe të menjëhershme, duke gjallëruar konsumin e brendshëm dhe prodhimin, bujqesinë dhe turizmin, gjithashtu do të ulë menjëherë numrin e shqiptarve që braktisin vendin. Ky program nuk ka nevojë për ndonjë ekspertizë të jashtëzakonshme ekonomike, por thjeshtë për një vullnet politik të Partisë Demokratike, për të adapttuar përvojat më të mira të Partive Popullore europiane në funksion të qytetarve shqiptar në nevojë dhe jo vetëm.
Zakonisht, po të vëzhgosh fushatat elektorale të partive politike në BE, bie në sy se i gjithë diskursi politik i tyre përqëndrohet në projekte konkrete, siç është përshembull politika që propozon Partia X në favor të zhvillimit të sektorit të prodhuesve të makinave, të industrisë, politikave mjedisore, politikave sociale, apo të zhvillimit të arsimit. Përshëmbull, të ndërtosh një fushatë elektorale me propozime të tilla se “ne do të rrisim fondet për arsimin dhe shëndetësinë me X milion euro, në mënyrë që të
sigurojmë një të ardhme më të mirë për të rinjtë e këtij vendi” është një shembull konkret se pse ekzistonë Partia X në një vend të BE-së. Në Shqipëri, Partia Demokratike duhet të ndërtojë diskursin e saj politik duke filluar me këtë sllogan;
“Ne do të përpiqemi të zhdukim varfërinë nga ky vend, duke u miratuar me ligj:
1) Minimumin Jetik Ligjor, bazuar në çmime reale dhe analiza shkencore,
2) Sigurimin me Ligj të këtij minimumi jetik nga shteti, për të gjithë shtetasit shqiptar”.
Sepse, nëse e keni vënë re, varfëria në këtë vend është bërë një lloj pandemie, e shtrirë nga Veriu në Jug, fakt ky që po e mban peng jo vetëm zhvillimin e vendit, por po e shtynë Shqipërinë perherë e më shumë drejt braktisjes dhe shpërbërjes strukturore të popullsisë. Kjo do të thotë se, nëse nuk ndërhyhet me forcë dhe në kohën e duhur, Shqipëria do të zhytet në një kaos të atillë, që unë do ta quaja ‘kaos social strukturor’, të përmasave katastrofike, prej të cilit rrezikohet seriozisht siguria kombëtare dhe ekzistenca e gjithësejcilit.
Në këtë rast, ata që kanë dy pare mend në kokë, duhet të shohin seriozisht dhe ta kuptojnë përfundimisht, se qeverisja e Kryeministrit Edi Rama në të vertetë nuk ka si qellim qeverisjen e askujt, as sigurinë e vendit, as të ardhmen e të rinjëve, as zhvillimin ekonomik, as arsimin dhe shëndetsinë. Qeverisja e Kryeministrit Edi Rama që në krye të herës ka patur dhe ka një qëllim të qartë; të përdor gjithçka në funksion të Rilindjes ekonomike dhe politike të një “kaste” që e humbi eksluzivitetin e pushtetit politik në vitin 1990. Në këtë kuptim, Kryeministri Edi Rama zhvillon një luftë të ndyrë dhe të jashtëzakonshme politike, duke mos kursyer asgjë, madje duke rrezikuar edhe sigurinë kombëtare dhe integritetin e vendit. Faktet janë këtu mes nesh, por edhe rezultatet; drogë, krim, konçensione, shpopullim masiv i vendit, ekonomi në kolaps. Historianët flasin shpesh për shpërngulje masive (dëbime) të popullsive shqiptare nga trojet e tyre në Kosovë dhe Çamëri. Këtë e kanë bërë regjimet antishqiptare të fqinjëve tanë. Në Serbi këtë e ka bërë Nikolla Pashiq, në Greqi këtë e ka bërë Napoleon Zervas. Në Shqipëri këtë po e bën qeveria e Kryeministrit Edi Rama, që i detyron shqitarët nën kërcënimin e urisë, të braktisin masivisht vendin e tyre në kërkim të mbijetesës. Ose i detyron që, po masivisht, të merren me kultivimin dhe trafikimin e drogave. Në të vërtetë kjo është e vetmja arritje reale e qeverisjes së Kryeministrit Edi Rama.

Shënim:
*) Në të vërtetë, organet ligjzbatuese të vendit i kanë të gjitha provat se Kryeministri Edi Rama ka shkelur një sërë ligjesh penale dhe kushtetuese, duke konsumuar plotësisht elemente të tradhëtisë kombëtare, siç është ‘fshehja e faktit’, domethënë e Raporteve Zyrtare të Shërbimit Informativ për kultivimin, trafikimin dhe përfshirjen e Policisë së Shtetit në këtë aktivitet kriminal. Partia Demokratike i ka të gjitha mundësitë, mekanizmat dhe informacionet e nevojshme, për ta paditur penalisht Kryeministrin Edi Rama. Kjo padi mund të ngrihet nëpërmjet një grupi avokatësh profesionistë, të cilët më e pakta do të qartësojnë opinionin publik se kush është dhe çfarë interesash përfaqëson në të vërtetë Kryeministri Edi Rama.
Shënim 2:
Ky tekst është shkruar një vit më parë, ndërkohë që situata politike dhe kriza e rëndë që ka përfshirë vendin është në zenitin e saj. Unë besoj fort se shumica e qytetarëve shqiptar kërkojnë rrëzimin e qeverisë kriminale të Kumbarit Edi Rama, ndërsa shembja e Shtetit të Mafias do të çlirojë përfundimisht energji të mëdha për të mëkëmbur ekonominë kombëtare dhe do të ndalojë zhbërjen strukturore të popullsisë; rreziku më i madh që i kanoset kombit tonë.

Exit mobile version