Dje, të fundmit ishin vërtet të parët: martirët në elter e familjarët e tyre në rreshtat e para të Kishës së Madhe. Festa e jashtëzakonshme në Shkodër, lumnimi i 38 martirëve të parë të komunzimit, dëshmitarë të Krishtit për gjithë Kishën Katolike universale, nis kështu, me perceptimin se “Ata që kaluan provën e madhe” rrinë me të vërtetë në të djathtën e Zotit.
Qyetarët shkodranë, besimtarë të të gjitha feve, ardhur nga e gjithë Shqipëria, nga Kosova fqinje e nga Mali i Zi, por edhe nga Kroacia, për don Serafin Kodën e për don Anton Muzajn, nga Gjermania, për don Alfons Trackin dhe për don Zef Maksen, nga Brescia e Italisë, nga Roma e ndërmjet grupit edhe ish-drejtori i përgjithshëm i Radio Vatikanit, atë Federiko Lombardi, nga Nju Jorku… e grupet nuk kanë të numëruar. Me flamujt e me këngët e tyre, por edhe me lutjet gjatë meshës, që u lexuan në shqip, kroatisht, gjermanisht e italisht. Në gjermanisht lexoi vetë e mbesa e don Zef Maksenit, gjermanit, që u pushkatua më 1946, duke thënë “Des i lumtun, tuj mendue se do të kujtohem prej shqiptarëve si meshtar i fesë së Krishtit”. E ashtu u kujtua sot, si të gjithë të tjerët, që nuk e përlyen rroben me bashkëpunim me komunizmin, por preferuan të hynin në histori si martirë.
Sheshi i Shën Pjetrit ishte zhvendosur në Shkodër. Kisha e Madhe ishte mbushur plot brenda e jashtë e përtej: pleq e të rinj, mbushur sytë me lot, me vetëdijen se kjo është e do të mbetet një ditë e shënuar në histori. Kishin mundur të dalin, për të marrë pjesë, edhe motrat karmelitane, që dalin nga kuvendi vetëm për ceremonitë e Papës; edhe motrat klarise; dalloheshin motrat e Nënë Terezës, që dëshmonin se edhe shenjtorja bamirëse shqiptare ishte aty në këtë ditë të madhe, e pastaj, stigmatinet e Marie Tucit, motër Marie Kaleta, që mallëngjeu Papën Françesku, françeskanët, në oborrin e të cilëve, pema e vuajtjeve dhe e torturave i ushqeu rrënjët e veta me gjak martirësh. Vargu i kardinajve të Kishës Katolike, i ipeshkvijve dhe i meshtarëve dukej sikur nuk mbaronte kurrë. Elteri u ngjye në të kuqen e rrobes së kremtimit, pikërisht si gjaku i martirëve, para të cilëve e ulën sot të gjithë kryet. I dërguari i Papës Françesku, kardinali Angelo Amato, vuri në dukje torturat mizore e kalvarin nëpër të cilin kaluan 38 dëshmitarët e Krishtit, histori të përshkruara edhe nga kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot Angelo Massafra, kur ia paraqiti emrat e tyre një për një, para se të shpalosej fugurja e imzot Vincenc Prennushit me shokë, krijim artistik i Edmond Papathimiut.