Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas djegies së Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok, të cilën e ka quajtur djegie të qëllimshme. Kurti ka shkruar se, Serbia po i nxit dhe mbështet aktet kriminale, raporton Gazeta Express.
Kurti ka shkruar se Serbia po përdorë qytetarë të Kosovës për të provokuar konflikt serioz ndërkombëtar.
“Hetimet preliminare tregojnë që djegia e ndërtesës së Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok nuk ishte aksidentale por e qëllimshme. Edhe në Zveçan kanë hedhur dy bomba dore, po ashtu në ndërtesën e qendrës së njëjtë për regjistrimin e automjeteve, por ato fatmirësisht nuk kanë eksploduar. Individë ose grupe të cilave sundimi i ligjit dhe rendi e siguria publike ua rrezikon aktivitetin kriminal po e sulmojnë shtetin tonë dhe po e cenojnë paqen. Qartazi ata po i nxit e mbështet Serbia, përkatësisht regjimi autokrat atje. Fatkeqësisht, para syve të bashkësisë ndërkombëtare, Serbia po përdorë qytetarë të Kosovës për të provokuar konflikt serioz ndërkombëtar”, ka shkruar ai.
Kryeministri Kurti ka thënë poashtu se sulmet e tilla nuk do të tolerohen. “Sulmet e këtilla zjarrvënëse dhe kriminelët që i bëjnë ato nuk do të tolerohen. Policia e Kosovës është institucion profesional që duhet respektuar nga të gjithë. U bëj thirrje qytetarëve, sidomos në veri të Ibrit, pavarësisht a janë serbë, shqiptarë, boshnjakë apo romë, që ta ruajnë qetësinë dhe të bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës”, ka shkruar ai.