Do ishim shumë të fortë! Roshi më pëlqeu

Trajneri i Bosnjës, Mehmed Bazhdareviç, në konferencën e djeshme për shtyp në përfundim të ndeshjes, u shpreh se Shqipërisë do t’i merrte Roshin për në Kombëtaren e tij, si edhe nëse këto dy Kombëtare do të ishin bashkë, atëherë do të ishin vërtet një ekip i frikshëm. Ai vlerëson ekipin shqiptar si edhe teknikun Xhani de Biazi.
“Ka shumë lojtarë të mirë te Shqipëria dhe nuk dua të përmend emra, por numri 21 (Roshi) më pëlqeu. Por, besoj sikur këto dy Kombëtare të ishin bashkë do të ishin një ekip shumë i fortë. Për sa i përket ndeshjes, ishte një Shqipëri ashtu siç e prisja, edhe ata kanë bërë shumë ndryshime.
Por, miqësoret për këtë qëllim janë, që të bëhen ndryshime dhe prova. Në pjesën e parë ne ishim më të mirë, por në pjesën e dytë Shqipëria e tregoi forcën e vet dhe kjo Shqipëri mund t’u bëjë ballë të gjithë skuadrave të tjera”, u shpreh tekniku boshnjak, i cili nuk i kurseu lëvdatat për kuqezinjtë.
Në lidhje me paraqitjen e të tijve, Bazhdareviç pranon se në pjesën e dytë skuadra pati rënie pas daljes së Xhekos. “Jam shumë i kënaqur nga fitorja, sepse kemi fituar ndaj një kundërshtari të fortë, trajneri të mirë dhe futbollistë të fortë. Nga lojtarët e rinj që aktivizova do të bëjmë analizën, disa kanë dhënë më shumë disa më pak, por përgjithësisht jam i lumtur për fitoren.
Pjesën e dytë patëm probleme në mesin e fushës, që në momentin kur doli Xheko nga loja dhe inkuadrimi i lojtarëve të rinj në fushë”, përfundoi boshnjaku Mehmed Bazhdareviç.

Exit mobile version